Zgjerimi i Qeverisë me partinë Aleanca për Shqiptarët, nuk do ta forcojë shumicën parlamentare me më shumë se 70 deputetë, siç priste kryeministri Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social Demokrate.
Shumicës parlamentare iu bashkuan tetë deputetë të Aleancës për Shqiptarët, por iu larguan katër të tjerë, tre deputetë të partisë Alternativa dhe një deputet i Lidhjes Demokratike.
Koalicioni qeveritar i LSDM-së, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Alternativës, deri më tani numëronte 64 deputetë në Parlamentin prej 120 ulësesh. Me hyrjen e Aleancës për Shqiptarët, shumicës iu shtuan edhe tetë deputetë, por me largimin e katër të tjerëve, shumica tani numëron 68 deputetë. Ndërkaq, jozyrtarisht mësohet se ka edhe disa deputetë tjerë që mund të mos i mbështesin ndryshimet në Qeveri.
Debati në Kuvend për emërimin e ministrave të Aleancës për Shqiptarët ka vazhduar edhe të martën dhe sipas paralajmërimeve të opozitës maqedonase, ai mund të zgjasë me ditë të tëra pasi 44 deputetët e saj nuk do të heqin dorë nga fjalimet për çdo emërim të propozuar.
Deputetët duhet të votojnë për Krenar Llogën për ministër të Drejtësisë, Fatmir Mexhitin për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliun, ministër të Administratës Publike dhe Informatikës, si dhe disa kuadro të tjera në postet e zëvendësministrave.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se beson se shumica parlamentare i ka numrat e mjaftueshëm për votimin e ndryshimeve në Qeveri.