Aleanca për Shqiptarët do të jetë pjesë e Qeverisë, vendosi organi më i lartë i partisë dhe Bordi Qendror i LSDM-së dha dritën jeshile për hyrjen e saj në koalicionin qeveritar.
Seanca për rikonstruimin e Qeverisë mund të caktohet për të hënën, tha kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, nëse gjatë ditës kryeministri Dimitar Kovaçevski ua dorëzon deputetëve propozimin për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar.
Mbrëmë pas seancës së organit më të lartë partiak të Aleancës për Shqiptarët, kryetari i kësaj partie Arben Taravari ka konfirmuar se po hyjnë në Qeveri dhe ka shpallur funksionet që duhet t’u takojnë.
“Kryesia qendrore e Aleancës për Shqiptarët në seancën e sotme pranoi me shumicë votash hyrjen në Qeveri. Ministria e Shëndetësisë, ajo e Drejtësisë, Ministria e Shoqërisë së Informacionit apo zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike janë rënë dakord si portofol që do t’i përkasin Aleancës për Shqiptarët”.
Taravari për sot ka paralajmëruar takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, në të cilin, siç tha, do t’i shpallë emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të ardhshëm nga radhët e kësaj partie.
Ndërsa lidhur me Alternativën dhe largimin apo qëndrimin e saj të mundshëm në Qeveri, Kovaçevski tha se dëshirojnë që partia të mbetet pjesë e shumicës parlamentare dhe qeveritare, duke theksuar se duke pasur parasysh se po diskutohet për hyrjen e një partneri të ri në koalicionin qeveritar, që nënkupton rritje të mazhorancës dhe rregullim të ri të mandateve parlamentare, mazhoranca ekzistuese do të duhet të bëjë disa rregullime që të mund ta realizojë atë ide.
Ky do të jetë rikonstruimi i parë i Qeverisë së udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski pas atij ndryshimi të vogël në tetor të vitit të kaluar, kur Goran Milevski nga PLD-ja dha dorëheqje dhe në vend të tij u zgjodh Risto Penov si ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale.