Tre viktima me origjinë shqiptare janë gjetur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit tragjik që goditi më 6 shkurt Turqinë.
Gazetari Ardit Hoxha nga Stambolli raporton se bëhet fjalë për dy prindërit dhe djalin e tyre, trupat e të cilëve janë gjetur të pajetë mëngjesin e ditës së sotme dhe janë nxjerrë nga rrënojat nga ekipet e kërkim shpëtimit, shkruan Euronews.
Ata janë gjetur në qytetin e Kahramanmarash, një nga zonat më të prekura nga tërmeti tragjik.
Deri më tani nuk bëhet me dije identiteti i tyre.
Përse ra tërmeti fatal, ekspertët zbardhin faktorët
Një numër faktorësh kanë kontribuuar për ta bërë tërmetin e 5 shkurtit ndër më fatalët në histori. Një prej tyre është koha e ditës kur ndodhi. Me lëkundjen që ra në orët e mëngjesit, shumë njerëz ishin në shtrat dhe tani kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e shtëpive të tyre.
Krahas kësaj, moti i ftohtë dhe me lagështirë që po lëviz nëpër rajon, dëmet në infrastrukturë dhe arritja e zonave të largëta janë një problem tjetër.
Temperaturat kanë qenë të ulëta të mërkurën në mëngjes, deri në minus 4 gradë në Gaziantep dhe minus 2 në Alepo. Të enjten parashikohet që ato të arrijnë respektivisht në minus 6 dhe minus 4 gradë.
Në këto kushte, pa anashkaluar faktin se personat e bllokuar ndodhen pa ushqim dhe ujë të pijshëm, ata rrezikojnë të preken nga hipotermia.
Ndërkohë, me kaq shumë dëme materiale në të dyja vendet, shumë njerëz kanë ngritur pyetje mbi rolin që infrastruktura e ndërtimeve mund të ketë pasur në këtë tragjedi.
“Çështja që të bën më shumë përshtypje është lloji i shembjes, të cilën ne e quajmë “zbritje me parashutë” e që inxhinierëve nuk u pëlqen ta shohin”, ka deklaruar për CNN Mustafa Erdik, profesor inxhinierie në Universitetin Bogazici të Stambollit. Sipas tij, në shembje të tilla është shumë i vështirë shpëtimi i jetëve.
Në këto kushte pyetja që shtrohet është, sa mund të mbijetojnë njerëzit nën rrënoja? Ekspertët paralajmërojnë se hapësira për të mbijetuarit pas tërmetit po mbyllet.
Ilan Kelman, profesor për katastrofat dhe shëndetin në Kolegjin Universitar të Londrës thotë se pas 72 orësh, shanset për të mbijetuar janë të vakëta.
“Koha është gjithmonë armiku kryesor, sikurse po shohim në Turqi dhe Siri. Njerëzit vdesin nga gjakderdhja, nga plagët, nga lëkundjet sizmike që pasojnë dhe për shkak të temperaturave që kanë shkuar nën zero. Megjithatë, shumica humbin jetën nga mungesa e ushqimeve dhe ujit të pijshëm”, ka thënë Kelman.
Turqia ndodhet në një ndërthurje pllakash tektonike dhe kjo e bën atë një vend të prirur ndaj tërmeteve. Pllaka arabe po lëviz me 20 milimetra në vit drejt asaj të Anadollit dhe ky konsiderohet shkaku kryesor i tërmetit të kësaj jave . Më pas, thellësia e tij në tokë ishte një faktor tjetër.