Kuvendi i Kosovës të enjten ishte arenë e përplasjeve verbale ndërmjet kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe përfaqësuesve të opozitës lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvend ka treguar gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai theksoi sërish para deputetëve të Kosovës se nuk mund të ketë Asociacion një etnik.
Gjashtë kushtet që Kurti përmendi për themelimin e Asociacionit:
-Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.
-Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
-Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.
-Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.