Grupi i Zjarrit në Kërçovë: Ahmetin e mbrojmë vetëm ne

Të kthehet debati në kryesinë qendrore të partisë, ishte porosia kryesore e “grupit të zjarrit” nga takimi me qytetarët në Kërçovë. Nënkryetari Izet Mexhiti tha nuk janë pyetur për asnjë projekt ose vendim madhor gjatë periudhës së fundit dhe shtoi se nuk dëshiron të mbajë përgjegjësi për dështimet e ministrave të partisë së tij. Grupi i drejtuar nga Mexhiti, në Kërçovë u prit me tupana.

“Nuk e mbron më mirë Ali Ahmetin, as Taravari as Ziadini, as Menduhi, as Artani, sesa këto djem që i kanë qëndru 20 vjet BDI-së dhe Ali Ahmetit pranë. Prandaj, i lus mos t’i kontribuojmë përçarjet, e lus pikërisht këtu në Kërçovë mendoje vetë me kokën tënde Ali Ahmeti, nuk janë duke ta treguar realitetin ministrat atje, dëgjoje zërin e qytetarit për ta kthyer në binarë BDI-në”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar I BDI-së.

Mexhiti dhe Musa Xhaferi thanë se mbështetësit e tyre në Kërçovë kanë pasur shumë presione që të mos marrin pjesë në këtë takim në qytetin e Ahmetit. Kreu i partisë, nga ana tjetër, vazhdon takimet me grupin që i qëndron pas, në vendbanimet e Pollogut. Një ditë më parë, nga Bogovina Ahmeti tha se u beson gjeneratave të reja për cilësi në Arsim, Shëndetësi dhe jetesë cilësore.

“Shekullin e ri duhet ta drejtojnë bijtë e shekullit të ri dhe pikërisht këtë punë në radhë të parë unë ja kam vënë angazhim vetvetes që të avancohen gjeneratat e reja, të inkurajohen e të frymëzohen që të marrin mbi shpatulla përgjegjësi”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti më herët ka deklaruar se ai dhe shumica në BDI besojnë se “grupi i zjarrit” nuk ka të drejtë dhe se duhet t’i kthehen respektit për vendimet e partisë. /Alsat.mk

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *