Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar këtë të mërkurë Forcat e Sigurisë së Kosovës ku është shfaqur me veshje ushtarake.
Osmani tha se betimi që ushtarët kanë dhënë për t’i shërbyer atdheut është më i shenjtë se çdo gjë tjetër.
“Viti që po lëmë pas u përcoll me sfida jo vetëm për ne, por edhe për botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet autoritare hegjemoniste. Prandaj, më shumë se kurrë na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t’i bëhemi gardianë”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës u shpreh se është dosmosdoshmëri forcimi i kapaciteteve mbrojtëse.
“Kjo gatishmëri e juaja për ta mbrojtur vendin nga çdo rrezik na bën krenar secilin. Është nder e privilegj sa herë jam në mesin tuaj. Mbi të gjitha djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për të mbajtur integritetin territorial e sovranitetin e shtetit tonë. Ju shquheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinë e përkushtim ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. Kjo na bën krenar ne si shtet”, u shpreh tutje presidentja e Kosovës.