UT e shënoi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit

Universiteti i Tetovës, me një akademi solemne të organizuar nga Fakulteti Filozofik, e shënoi 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit kombëtar. Kjo datë historike na sjell në mendje rrugën e përshkuar gjatë viteve e shekujve nga atdhetarët tanë që me përkushtim punuan dhe flijuan gjithçka për Flamurin kuqezi.

Në shënimin e këtij përvjetori morën pjesë Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, Prorektori për Financa, Prof. Dr. Faton Shabani, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu, dekanë fakultetesh, profesorë dhe studentë.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, tha se qëllimi i këtij manifestimi është që ne t’i rikujtojmë personalitetet e shquara të kombit shqiptar, të kaluarën, të mendojmë për të tanishmen dhe të punojmë për të ardhmen.

Ndërsa, referatin kushtuar Ditës së Pavarësisë, e paraqiti Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi, i cili tha se ideali ynë për liri dhe ëndrra për Atdheun tonë të përbashkët është pasuar nga rezistenca gjithëkombëtare, megjithëse kjo rrugë ishte përplot vështirësi. “Mëvetësia e Shqipërisë kaherë qe një ëndërr historike, që nga koha e Gjergjit, Gjergjit stoik, kur para arbërorëve në Krujë foli për lirinë, si një parashikim orakulli, si një zotim hyjnor që nuk do ta zhbënin as shekujt. Për pesë shekuj sundimi dhe administrimi nga Perandoria Osmane, populli shqiptar dukej sikur ishte integruar në kulturën e Lindjes, përkundër këtij fakti, Rilindësit shqiptarë të kohës e kishin shumë të qartë se e ardhmja e këtij kombi i takon Botës Perëndimore – Evropiane. Bindja e tyre për procesin më të sigurt të formësimit politik ishte: “Dielli për shqiptarët lind në Perëndim”. Në këtë drejtim, një kohë para shpalljes së Pavarësisë u ndërmorën veprime të shumta lëvizjesh gjithëkombëtare, si: hapja e shkollave shqipe, krijimi i Alfabetit Shqip me shkronja latine, botimi i teksteve shkollore, abetare e gramatika, me dëshirën e madhe për ta kthyer Shqipërinë në një Mësonjëtore të ndritur, sepse veç një komb me kulturë di të formojë e të mbajë shtet”, u shpreh Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi.

Më tej, ai shtoi se historia nuk e lejon harresën e ngjarjeve, të cilat janë të shumta. Çdo rikthim në të kaluarën e kombit tonë na i përkujton kalvaret që na i shkaktuan me shekuj, të gjithë ata që lirinë e tjetrit nuk e marrin për të shenjtë. “Megjithatë, e kaluara e popullit tonë, pavarësisht vështirësive e padrejtësive qëndron mbi lavdi – në asnjë cep të historisë ballkanike dhe evropiane nuk mund të zbulohet, asnjë tendencë e vetme hegjemoniste e popullit liridashës shqiptar. Në kërkim të LIRISË sonë, ne shqiptarët nuk hartuam kurrë projekte për ta përgjakur lirinë e të tjerëve. Historiografia shqiptare e shkruan me lavdi historikun e kombit, por këtë nuk mund ta bëjë edhe historiografia serbosllave, e cila i kamuflon krimet e rënda të politikës gjenocidiale mbi shqiptarët. Ne shqiptarët jemi liridashës, megjithëse nuk e harrojmë tërësisht ligësinë ndaj nesh, ne vazhdojmë krenarë drejt paqes, sepse vetëm paqja siguron mirëqenie dhe stabilitet në Ballkan dhe në Evropë, ndërkaq populli shqiptar ka krijuar hapësirë zhvillimi në të gjitha sferat e jetës shoqërore, për të kontribuar me vlerat e tij në arenën e qytetërimit evropian dhe botëror. Sot, të gjithë ne, jemi të lirë të bëjmë një thirrje shpirtërore: një komb jeton për një ideal – atë të Bashkimit Kombëtar! Shqiptarë, kudo që ndodheni, Gëzuar 28 Nëntorin!”, kështu e përfundoi referatin e tij Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi.

Ky manifestim u përmbyll me një program të pasur artistik. Fillimisht, Jetmir Mehmedi dhe Benjamin Menga realizuan një interpretim instrumental, ndërsa më pas, Kori i Fakultetit të Arteve solli një interpretim muzikor nën dirigjimin e Premtim Etemit.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *