Sa më thellë bëhen investigimet në Klinikën e Onkologjisë, aq më shumë skandale dalin në dritë. Sipas raporteve mjekësore që siguroi Alsat , drejtori organizativ i klinikës Nehat Nuhi, ka futur në sistem disa familjarë të tij, siç pretendohet me diagnoza të rrejshme të kancerit, për qëllim të marrjes së terapive të shtrenjta në emër të tyre dhe për shërbimet falas në çdo institucion tjetër shëndetësor publik. Këto dokumente dëshmojnë se pacientja E.N. 71 vjet figuron në sistem në periudhën 2021-2022 me disa diagnoza të ndryshme të kancerit: C.34, D.64.9, C34.9 ndërsa e njëjta nuk është shtruar kurrë në spital.
Modelin e njëjtë e kanë përdorur edhe të punësuar të tjerë në Klinikë, duke futur në sistem familjarët e tyre, dokumente të cilat dëshmojnë keqpërdorimet eventuale financiare në këtë Klinikë.
Në ndërkohë nga Enti Shtetëror i Revizionit janë duke inspektuar të gjitha dokumentacionet për të vërtetuar dyshimet e bazuara në keqpërdorimet financiare të Klinikës së Onkologjisë. Alsat arriti deri te disa lëshime që janë gjetur nga 1/3 e përpunimit të këtyre të dhënave.
Nga drejtoria e Entin shtetëror të revizionit nuk pohojnë dhe as nuk mohojnë indiciet e gjetura nga burimet e Alsat, por thonë se deri në përmbyllje të plotë të inspektimit do të përmbahen nga komentet.
“Sipas Ligjit për revizion, gjatë procedurës së inspektimit në çfarëdolloj insitutcioni nuk bëjmë publike gjetjet. Në Klinikën e Onkologjisë revizorët do të punojnë deri më 31 janar, pas së cilës ka afat ligjor që klinika të ankimoj raportin dhe të plotësoj me dokumentet e nevojshme. Sipas procedurës një raport final për Klinikën e Onkologjisë do ta kemi të finalizuar në tremujorin e parë të vitit 2023”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Poashtu, lëndë e revizionit janë pacientët e vdekur nga kanceri prej vitesh, siç raporti më herët Alsat për të ndjerin Tome Dimovskit, historia e të cilit është e hapur, por i njëjti ka ndërruar jetë në vitin 2014 nga kanceri në stomak. Se edhe sa raste tjera të tilla ka të hapura përmes së cilave vidhen barnat, si dhe të gjitha keqpërdorimet tjera revizioni pritet ti raportoj Ministrisë së Shëndetësisë dhe Prokurorisë Publike./Alsat.mk