Finlanda dhe Suedia janë duke iu afruar anëtarësimit në NATO, pasi 28 prej 30 vendeve anëtare tani kanë ratifikuar protokollet për anëtarësim, pas votimeve të kryera në nivele parlamentare apo presidenciale nëpër vendet e tyre.
Diçka e tillë ka munguar nga ana e Hungarisë dhe Turqisë.
Mirëpo me Qeverinë e re tani në Suedi dhe pas zgjedhjeve në Finlandë dhe Turqi, në fillim të vitit të ardhshëm, diplomatët janë pothuajse të bindur se dy vendet nordike do të jenë anëtare e reja të NATO-s, nga fundi i vitit 2022 apo në fillim të vitit 2023.
Pengesa më e madhe në gjithë këtë proces ka të bëjë me Ankaranë.
Pas vendimit të Helsinkit dhe Stokholmit për të aplikuar për anëtarësim në NATO, dikur në maj të këtij viti – për shkak të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë – pritjet kanë qenë që procesi i anëtarësimit do të mund të përmbyllej me shpejtësi rekorde, ashtu që të dyja vendet të mund të ishin anëtare në fund të verës apo në fillim të vjeshtës. Mirëpo presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka pasur ide tjera.
Ai ka miratuar në fund ftesën e NATO-s për Finlandën dhe Suedisë – për t’iu bashkuar aleancës – në samitin në Madrid, që është mbajtur në fund të muajit qershor, vetëm pas nënshkrimit të një memorandumi trelateral me Helsinkin dhe Stokholmin në margjinat e organizimit të madh në kryeqytetin spanjoll. Teksa shumica e vendeve të NATO-s janë ngutur gjatë muajve të verës që të ratifikojnë protokollet për anëtarësim, Turqisë nuk i është bërë vonë.
Ajo ka vëzhguar nëse Finlanda dhe Suedia kanë përmbushur zotimet që kanë bërë në memorandum.
Fokusi kryesor ka qenë kryesisht në Suedi – vend me rreth 100.000 persona me origjinë kurde – e cila është përballur me një proces zgjedhor që e ka fituar krahut i të djathtës ekstreme. Qeveria e mëhershme suedeze ka qenë e shpejtë në përmbushjen e disa zotimeve.
Një embargo e vitit 2019 për armët ndaj Ankarasë është hequr shpejt dhe ka pasur lëvizje në bllokimin e financave të grupeve kurde në Siri. Mirëpo këto kanë qenë përparim të lehta.
Pyetja reale është si do të përballet Qeveria suedeze me shtypjen e Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK) dhe si do të ekstradojë personat që Turqia i konsideron “terroristë”.
Si Finlanda, ashtu edhe Suedia e konsiderojnë PKK-në si organizatë terroriste, mirëpo në memorandum ato janë zotuar “për të parandaluar aktivitetet e PKK-së dhe të gjitha organizatave terroriste dhe zgjatimeve të tyre, si dhe aktivitetet e individëve e grupeve që janë të inspiruara apo të lidhura me këto organizata terroriste”.
Është e qartë se Stokholmi do të duhet të jetë më vigjilent kundër grupit, flamujt dhe emblema e të cilit nuk janë të pazakonshme në shumë qytete suedeze.