Në UT u mbajt tryezë, me temë: “Digjitalizimi në fushën e arsimit – përparësitë dhe mangësitë e komunikimit digjital”

Në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës u mbajt tryeza e rrumbullakët, me temë: “Digjitalizimi në fushën e arsimit – përparësitë dhe mangësitë e komunikimit digjital”. Me këtë rast, ekspertë nga fusha e arsimit para studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit Pedagogjik shpalosën qëndrimet e tyre rreth procesit të digjitalizimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës.

Në këtë tryezë ku rëndësi e veçantë iu kushtua përparësive dhe mangësive të komunikimit digjital, duke bërë krahasime se ku qëndrojnë vendet tona në këtë drejtim, debatuan Prof. Dr. Bardhyl Musai nga Republika e Shqipërisë, Prof. Dr. Edmond Beqiri nga Republika e Kosovës, Prof. Dr. Shpëtim Latifi, këshilltar i lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së vendit tonë, Mr. Setki Ismaili dhe gazetarja Laura Papraniku, e cila i njeh mirë çështjet e arsimit në vendin tonë.

Në emër të udhëheqësisë së Universitetit të Tetovës, pjesëmarrësit në këtë tryezë me fjalë rasti i përshëndeti kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti ndërsa dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi tha se tematika e kësaj tryeze është mjaft aktuale dhe për të cilën ka edhe akoma dilema se a jemi pro apo kundër digjitalizimit në arsim. “Digjitalizimit në fushën e arsimit: përparësitë dhe mangësitë e komunikimit digjital” është një temë mjaft aktuale dhe akoma ka dilema se a jemi pro apo kundër digjitalizimit në arsim. Mendoj se në kuadër të proceseve globale në arsim, digjitalizimi dhe kompetencat digjitale te nxënësit, te studentët, te arsimtarët dhe profesorët është imperativ i kohës dhe ne në këtë drejtim duhet t’i ndërtojmë dhe t’i përforcojmë kapacitetet tona”, tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.

Përfaqësuesi i Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra, Doc. Dr. Mahir Mustafa u shpreh se përmes realizimit të kësaj tryeze, bashkë me ekspertë të kësaj fushe, dëshirojmë t’i shikojmë të dyja anët edhe përparësitë, por edhe mangësitë, për të konstatuar secili për vetvete, pa imponime, sepse në fund të fundit secili vendos për veten e vet. “Në qoftë se ndikimi i digjitalizimit është i madh, natyrisht ne jemi qenie që ndikohemi dhe ndikojmë dhe mendoj se mësuesit e ardhshëm nga kjo konferencë do të dalin me një përcaktim të vetëm, se do të mundohen të jenë në kohë dhe me kohën në aspektin e digjitalizimit, apo do t’i kushtojnë më shumë rëndësi unit të tyre, profesionit të tyre, mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, por edhe vetvetes, prandaj jam kureshtar sikurse edhe të gjithë të tjerët se çfarë rezultatesh do të kemi nga kjo konferencë”, u shpreh Doc. Dr. Mahir Mustafa, përfaqësues i Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra.

Eksperti i arsimit, Satki Ismaili u shpreh se është kënaqësi që para studentëve të Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovë të bisedohet, debatohet për çështjet arsimore, të cilët i preokupojnë sfidat e arsimit. “Edhe unë, me theks të veçantë po i bashkohem këtij aktiviteti për digjitalizimin në arsim. Digjitalizimi është një pjesë e pashmangshme në arsim dhe është diçka që e kërkon koha. Nxënësit, gjeneratat, jetojnë në një kohë ku duan kreativitet më të madh, dhe kreativiteti më i madh arrihet me një pjesë të digjitalizimit, ku nëpërmjet platformave të ndryshme, aplikacioneve të ndryshme, aktiviteteve sinkrone dhe asinkrone, të cilët mund t’i realizojnë nxënësit, studentët, të tjerët dhe mësimdhënësit, e bëjnë mësimin më kreativ dhe me aspak dyshim dhe të jemi të mendimit se rezultatet nuk do të mungojnë”, theksoi Satki Ismaili.

Me realizimin e tryezës i përmbyll punimet “Java e veçantë studimore”, që u realizua në partneritet mes Fakultetit Pedagogjik dhe Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra. Tema kryesore e manifestimit “Java e veçantë studimore” ishte takimi, ndërveprimi, komunikimi dhe reflektimi, ku iu kushtua rëndësi e veçantë situatës, ndjenjave dhe nevojës.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *