Kryeministri Dimitar Kovaçevski me ftesë të kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministrit të Çekisë, Petër Fiala, sot në Pragë do të marrë pjesë në takimin e parë të Bashkësisë Politike Evropiane së bashku me liderët e gjithsej 44 vendeve, nga të cilat 27 vende-anëtare të BE-së, vende nga Ballkani Perëndimor, Zvicra, Norvegjia dhe Islanda, si dhe Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia dhe Ukraina. Në takim është planifikuar të marrë pjesë edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në takimin e parë të Bashkësisë Politike Evropiane në Pragë, Kovaçevski e kryeson delegacionin qeveritar në përbërje të të cilit janë ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, si dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave Lupço Nikollovski.
“Programi i ngjarjes përmban debate plenare dhe diskutime në tryeza të rrumbullakëta në lidhje me çështjet aktuale për krizën energjetike dhe ekonomike, furnizimin me energji dhe energjensa, si dhe diskutime lidhur me sfidat klimatike, por edhe paqen dhe sigurinë në kontekst të agresionit ushtarak rus në Ukrainë”, informojnë nga Qeveria.