Reagimi i skuadës që negativën 1:0 e përmbysi në triumf 3:1 në transfertën me Pobedën ka lënë të kënaqur trajnerin Qatip Osmani. Shkëndija tregoi karakter pasi pa veten të humbiste 1:0 nga minuta e 12-të kur Gjurkoviq shënoi për vendasit. Mirëpo në vazhdim gjithçka foli për kuqezinjtë që barazuan pak para pushimit me Dorievin, që më pas në fraksionin e dytë Shala e Doriev të vulosnin fitoren e katërt sezonale të Shkëndijës.
….fitore me përmbysje….
Osmani: “Në radhë të parë ne morëm atë çka donim para ndeshjes dhe në këtë drejtim ne realizuam planin. Fatkeqësisht u gjetëm në negativë kur duhej të kishim shënuar të parët, por më pas më pëlqeu reagimi i skuadrës që dominoi, krijoi dhe realizoi tre herë për fitore dhe tre pikë“.
….goli i tretë duhej të vinte më herët….
Osmani: “Patjetër duhej ta kishim mbyllur ndeshjen shumë më herët me golin e tretë, sepse kështu edhe pse dominonim, prapë lamë vendasit të shpresonin. Një gol i tretë do të kishte detyruar të dorëzohet Pobeda dhe bazuar te loja dhe shanset ndoshta duhej të kishim shënuar 5-6 gola. Nisur nga kjo, akoma më shumë kemi nevojë të punuar në realizimin e shanseve sepse jo çdo ndeshje të jep hapsirën për kaq shumë mundësi“.
….performansa e Dorievit….
Osmani: “Futbolli është sport ekipor dhe fitoret e humbjet vijnë si rezultat i ekipit. Sigurisht jemi të kënaqur që në skuadër kemi individë që kanë aftësi të bartin ekipin me cilësinë e tyre dhe Doriev është i dëshmuar për këtë. Shënoi dy gola të bukur, asistoi për Shalën dhe gjithë ndeshjen ishte në lartësinë e duhur në shërbim të ekipit. E përgëzoj për super performansën, por meritat janë të gjithë ekipit dhe i uroj çunat për fitoren e sotme“.