Ueb-faqja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ende nuk është në funksion pasi më 9 shtator ishte sulmuar nga hakerët. Gjatë 12 ditëve të kaluara ajo plotësisht është ndërprerë dhe në të nuk ka qasje. Nga MASH-i thonë se po punohet në aktivizimin e sërishëm të saj, por nuk precizojnë se kur pritet të bëhet kjo.
Ishte bërë e ditur se faqja (www.mon.gov.mk) ishte sulmuar nga ekipi grek i hakerëve „Netwatchers“. MASH-i atëherë bëri të ditur se është në komunikim me Qendrën Nacionale CIRT për incidente kompjuterike pranë Agjencisë së Komunikimeve Elektronike, ku është denoncuar rasti dhe prej ku priten, me mbështetje të MPB-së, të ndërmerren aktivitete konkrete për gjetjen e lokacionit dhe burimit të sulmeve.