Procesi i shqyrtimit filloi më 15 shtator. Është një delegacion i madh nga Republika e Maqedonisë, i cili ndodhet në Bruksel. Kuptohet se procesi është nisur nga Komisioni Evropian me shpjegime në lidhje me standardet dhe kërkesat që duhet të përmbushë vendi juaj për t’u bërë anëtar i BE-së, ndaj gjithçka po ecën pozitivisht. Vërtet, ka një angazhim të madh nga delegacioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut, tha sot shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, David Geer, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ambasadori evropian vlerësoi se ka një partneritet të madh gjatë skriningut, por theksoi se është një proces i gjatë që kërkon shumë punë dhe shumë angazhim nga të gjitha ministritë e vendit tuaj, ashtu që së shpejti të vijë koha kur në të do të duhet të përfshihet edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.