Gjithnjë e më shumë po ndihet rritja e çmimeve. Çmimet për lëndët e para janë rritur prej muajsh, por tani rritja e tyre po prek direkt konsumatorët. Këtyre u shtohen dhe kostot e rritura fuqishëm të energjisë.
Çmimet në eurozonë janë rritur si asnjëherë më parë – në korrik rritja ishte 8,9 përqind krahasuar me verën e vitit 2021. Në Gjermani dinamika e rritjes është paksa më e zbutur nga ndërhyrja e shtetit duke shënuar kuotën e 7,5 përqind. Por pavarësisht skontos për çmimin e karburantit dhe aplikimit të abonesë mujore prej 9 eurosh për shërbimin e qarkullimit urban, në shtator duhet të rriten edhe pagat. Shumë sektorë të shërbimeve – si p.sh. floktoret do të detyrohen që koston e energjisë ta reflektojnë me rritjen e çmimit për shërbimet. Këtyre u shtohen edhe shlyerjet e detyrimeve të kostove të objekteve për vitin në vazhdim gjatë vitit të ardhshëm, kur qiramarrësit të dërgojnë faturat për vitin 2022. Pra definitivisht nuk ka shenja për përmirësim.
Edhe çmimet e prodhimit (çmimi që një prodhues kërkon për produktin e tij, si p.sh. fermeri nga tregtari) do të rriten ndjeshëm. Ekspertët që kishin parashikuar, se shtrenjtimi i kostove në planin vjetor do të ngadalësohej, tani e kanë kuptuar që janë gabuar. Shtrenjtimi është me rreth 37,2 përqind pas një rritjeje rreth 32,7 përqind në qershor, pra kemi një diferencë prej 5,3 përiqnd rritjeje në harkun kohor të një muaji. Arsyeja kryesore ka të bëjë me rritjen fuqishëm të kostos së energjisë, që krahasuar me një vit më parë është rritur 105 përqind. Gazi natyror është 164 përqind më i shtrenjtë se një vit më parë, energjia elektrike 125 përqind më e shtrenjtë dhe çmimi për produktet minerare është rritur gati 42 përqind. Këto janë faktorët kryesorë.
A është tejkaluar pika kulmore?
Nëse i kalkulon të gjitha këto së bashku, rezulton që rritja e çmimit të produkteve është plot 14 përqind. Kjo është një kuotë e lartë e rritjes, por tendenca megjithatë është konstante, mendon Ralph Solveen, ekspert i koniunkturës në Commerzbank. Kjo për faktin se lëndë të para të caktuara si p.sh. çeliku kanë shënuar rënie të çmimit. Kjo le të kuptohet se me gjasë në muajt e ardhshëm është arritur piku. Ai e vlerëson këtë si „një sinjal të parë të moderuar, që gjatë vitit të ardhshëm sërish mund të ketë një kuotë pak më të ulët të rritjes së çmimeve.”