Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, së bashku me nënkryetarin e partisë, Aleksandar Nikoloski, kanë udhëtuar për në Budapest ku sot kanë takuar kryeministrin e Hungarisë dhe kryetarin e partisë simotër FIDES, Viktor Orban.
Sipas njoftimit nga VMRO-DPMNE, në takim është biseduar për integrimin e Maqedonisë në BE dhe Mickoski ka theksuar qëndrimin se është i nevojshëm për popullin maqedonas, por kjo duhet të jetë në mënyrë dinjitoze dhe me ruajtjen e identitetit.
“Është vërejtur se Maqedoninë dhe BE-në i pret dimri më i vështirë në histori, me vështirësi të mëdha sa i përket furnizimit me energji. Kryetari Mickoski vuri theksoi se qeveria në Maqedoni nuk po ndërmerr hapat e nevojshëm në përballjen me krizën energjetike, nuk sigurohen me kohë qymyr, mazut, gaz dhe derivate të naftës, por kur vjen kulmi i krizës jepen shuma të mëdha parash disa herë mbi atë që mund të ishte shpenzuar nëse të njëjtat mjete do të siguroheshin me kohë”, njoftoi VMRO-DPMNE.
Partia opozitare shtoi se është biseduar edhe për problemet me krizën e emigrantëve.
Orban është lideri i parë evropian që përveç kritikave të Komisionit Evropian, ka shpërfillur edhe ato të administratës së ish-presidentit amerikan Barack Obama për ndërtimin e një “shteti joliberal”.
Ndryshe, ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski u arratis në Budapest në vitin 2018 ku iu dha azil politik. Ai është akuzuar në disa procese gjyqësore dhe i dënuar për çështjen “Tanku” me dy vite burg për blerjen e një “Mercedesi” luksoz.