Vazhdojnë konsultimet për propozimin francez për fillimin e negociatave inkuadruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Për sot në orën 11 në klubin e deputetëve është caktuar takim i kryeministrit Dimitar Kovaçevski me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
Kryeministri Kovaçevski dje në një prononcim për media ka konfirmuar se ka pasur një bisedë telefonike me Selën dhe ka paralajmëruar se me gjasë sot do t’ia paraqesë propozimin francez.
Konsultimet e gjera për propozimin francez filluan të premten së pari me partnerët e koalicionit në Qeveri, disa prej të cilëve tashmë janë shprehur pozitivisht për propozimin dhe disa pritet ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme.
Dje, kryeministri Kovaçevski mbajti takim edhe me liderin e partisë më të madhe opozitare Hristijan Mickoski. Për VMRO-DPMNE-në propozimi francez është i papranueshëm. Mickoski pas takimit deklaroi se i ka propozuar Kovaçevskit dy opsione – ta refuzojë propozimin, ndërsa VMRO-DPMNE të tërhiqet nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare ose nëse Kovaçevski beson se me propozimin është siguruar identiteti, atëherë duhet të fshihen katër pika.