Rama dhe Abazoviç mbërrijnë në “zemër” të Ukrainës, në mesditë konferencë të përbashkët me Zelenskyn

KIEV –  Kryeministri Edi Rama në orët e para të mëngjesit së 15 qershorit ka mbërritur në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

I pari i qeverisë në këtë udhëtim ka qenë bashkë me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kanë udhëtuar fillimisht drejt Polonisë, ndërsa prej andej janë nisur me tren për në zemër të Ukrainës.

Dy krerët e Qeverive të Ballkanit Perëndimor u pritën nga forca të shumta ushtarake dhe delegacioni ukrainas, raporton AP.

Të shoqëruar nga delegacionet përkatëse, ata do të nisen fillimisht drejt rajonit të Buchas, ku masakra ruse është vërtetuar më së shumti.

Rama dhe Abazoviç do të vizitojnë zonat e bombarduara të Borodyanka-s dhe Irpin-it dhe ekspozitën për luftën ruso-ukrainase.

Më pas në orët e para të mesditës ata do të takohen me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Nga aty tre liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Vizita do të vijojë me takimin e kryeministrit të Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko.

Rama është i shoqëruar nga Elisa Spiropali, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri, Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm.

13:16- Mediat ukrainase shkruajnë për vizitën e Ramës dhe Abazoviç në Kiev

Mediat Ukrainase kanë raportuar për vizitën e kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij malazez, Dritan Abazoviç në Kiev.

Agjencia e lajmeve të Ukrainës, Ukrinform ka ndarë fotot nga vizita e dy liderëve, të cilët vizituan dhe Irpinin dhe Borodiankën, rrethina të Kievit që u sulmuan rëndë nga forcat ruse.

“Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç dhe kryeministri shqiptar Edi Rama më 15 qershor vizituan Irpin dhe Borodianka jashtë Kievit gjatë udhëtimit të tyre në Ukrainë”, shkruan “Ukrinform”.

Edhe “Interfax” e Ukrainës ka shkruajtur për vizitën e Ramës dhe Abazoviç, duke u ndalur veçanërisht te deklaratat e këtij të fundit, i cili tha se po vizitojnë Kievin “për të mbështetur sinqerisht Ukrainën dhe qytetarët e saj në mbrojtjen e të drejtës së tyre për liri.”

Ndërkohë, edhe media me baze bjelloruse “Nexta”, ka ndarë foto nga vizita e dy kryeministrave në rrethinat e Kievit.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *