Fakulteti i Arteve i UT-së e hapi ekspozitën vjetore të studentëve të Artit Figurativ

Studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, më 3 qershor 2022, së bashku me profesorët e tyre, në prag të përmbylljes së semestrit veror, në hapësirat e këtij fakulteti e hapën ekspozitën e tyre tradicionale.
Ekspozitën e shpalli të hapur dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Nafi Jashari. Ai tha se kjo është ekspozitë vjetore, e cila organizohet çdo fundvit dhe ka për qëllim që të ekspozojë punën e studentëve përgjatë një viti. “Kjo është një ekspozitë e cila flet shumë. Tanimë ne jemi me një përvojë, Universiteti i Tetovës dhe Fakulteti i Arteve ka çfarë të prezantojë para auditorit më të gjerë. Sot, ne mund të themi lirisht se një numër i madh i studentëve tanë, të cilët kanë diplomuar dhe sot janë anekënd botës, mund të themi se në mënyrë më të denjë na prezantojnë dhe përfaqësojnë kulturën, traditën dhe artin shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe ne për këtë mburremi. Kualitetet e studentëve të diplomuar në këtë fakultet janë evidente, këta vijnë edhe nga universitetet tjera shqiptare, si Universiteti i Prishtinës, Tiranës, Shkupit dhe universitetet e vendeve të tjera përreth. Arti është një sfidë për çdo individ, është një sfidë shumë e madhe për profesorët dhe studentët e këtij fakulteti. Me punë dhe përkushtim mund të arrihet gjithçka”, tha dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Nafi Jashari.
Këtë ekspozitë vjetore e përshëndeti edhe shefi i programit studimor i Artit Figurativ, Prof. Ord. Bashkim Mexhiti, i cili tha se është i nderuar që prezanton ekspozitën e 28-të të studentëve të Universitetit të Tetovës. “28 vite rrugëtim i bekuar nga Zoti dhe i përkrahur nga ju. Brenda këtyre 28 viteve nga ky institucion sot po përcjellim edhe gjeneratën e 25-të. Pra, ky numër 25 është numër që ndërtoi dhe ndërton historinë më të ndritur të këtij nënqielli, duke tërhequr vijë paralele në ndërtimin dhe udhëheqjen e institucioneve të ndryshme kulturore, promovimin e vlerave artistike të njohura kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, mësimdhënës me cilësi të larta në të gjitha nivelet arsimore, nga të cilët disa i kemi edhe në mesin tonë”, u shpreh shefi i programit studimor i Artit Figurativ, Prof. Ord. Bashkim Mexhiti.
Të gjitha punimet në këtë ekspozitë janë punime të studentëve nga të gjitha programet studimore: Pikturë, Skulpturë, Grafikë dhe Dizajn grafik.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *