Studentët e UT-së pjesëmarrës në Dialogun Strategjik me SHBA-të

Parlamenti studentor i UT-së mori pjesë në Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se vendi ynë është i pari prej vendeve të Ballkanit që e fillon këtë proces, që ka për qëllim avancimin e marrëdhënieve tradicionale miqësore dhe konfirmimin për aleancën e fortë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve.

Ai më tutje u shpreh se, në agjendën e Dialogut Strategjik me SHBA-të prioritet do t’i jepet arsimimit dhe programeve për shkëmbimin e studentëve. Ministri vlerësoi se kjo është një mundësi e mirë që të shkëmbejmë mendime për thellimin e bashkëpunimit arsimor dhe mundësive për intensifikimin e marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve nga të dy vendet, përmes promovimit të kulturës dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit.
Sipas kryediplomatit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mbështetja e të rinjve është e rëndësishme dhe themelet që i vendosim sot duhet të kontribuojnë që të rinjtë të jenë ata të cilët do ta vazhdojnë rrugën në krijimin e partneriteteve dhe aleatëve mes vendit tonë dhe SHBA-ve.

Kryetarja e Parlamentit Studentor e Universitetit të Tetovës, zonjusha Eliesa Zhaku, e falënderoi ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmanin, për mbështetjen e vazhdueshme që ai jep ndaj studentëve në përgjithësi, ndaj të rinjve të vendit tonë. Ajo tha se, Dialogu Strategjik është një mundësi e mirë për të gjithë studentët të cilët dëshirojnë të kyçen në këtë proces, pasi që do të trajtojë tema të rëndësishme, në mesin e të cilave do të diskutohet edhe për programet e ndryshme amerikane për shkëmbim të studentëve. Siç dihet, tani më disa vite me radhë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Ambasadës së tyre në vendin tonë ofrojnë programin për mobilitet të studentëve Fullbright.

Ajo, po ashtu shtoi se populli shqiptar është i bekuar që ka krijuar partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se kjo aleancë mes dy popujve është dëshmuar në shumë procese të rëndësishme historike për shqiptarët.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *