Policia shqiptare publikon planin për mbarëvajtjen e finales së Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit

Në 25 maj do të bllokohet Bulevardi nga Stadiumi te Sheshi Skënderbej. Janë marrë masat që nga Pikat Kufitare deri në aktivitetet që do mbahen në Tiranë.

Tifozët e Romës do grumbullohen te amfiteatri, ata të Feyenoord te pedonalja. Masa të shtuara dhe trajnime për menaxhimin e situatës.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shqiptar ka lëshuar njoftim, duke bërë të ditur se cilat pjesë të qyteti do të jenë të bllokuara:

Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë në përfundim të planifikimit të masave të sigurisë për zhvillimin e finales së UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës/Itali dhe Feyenoordit/Hollandë, e cila do të zhvillohet në Tiranë, në datën 25 maj 2022, në orën 21:00, në “Air Albania Stadium.”

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit është në fazën përfundimtare të planifikimit të masave për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje sportive ndërkombëtare si kompeticioni më i ri sportiv evropian për klube. Në vlerësim të detyrimeve ligjore që ajo ka, por edhe duke shfrytëzuar përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, mbështetur në legjislacionin tonë, si dhe në kushtet dhe infrastrukturën që ofron “Air Albania Stadium”, përsa i përket sigurisë, Policia ka marrë masat për këtë ndeshje, por edhe për të gjithë aktivitetet që do të zhvillohen në vendin tonë, duke filluar nga Pikat e Kalimit Kufitar, në rrugëkalimet e ekipeve, të sportdashësve të tyre apo edhe për garantimin e rendit publik për qytetarët e tjerë në Tiranë, të cilët nuk kanë lidhje me këtë aktivitet sportiv.

Paraprakisht, nga muaji shkurt janë zhvilluar disa trajnime të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me përfaqësues të UEFA-s, me Federatën Shqiptare të Futbollit, Ministrinë e Brendshme dhe me aktorë të tjerë që kanë detyrime për të ofruar një qasje të integruar të sigurisë dhe të shërbimeve në ambientin sportiv ku do të zhvillohet kjo ndeshje futbolli, janë zhvilluar disa takime, është studiuar historiku i tifozërisë së dy skuadrave finaliste dhe është kërkuar rritja e nivelit profesional të drejtuesve të Policisë, për menaxhimin e shërbimeve, për strategjinë e taktikat e sjelljes ndaj tifozëve dhe mënyrën e ndërveprimit me ta.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *