Kuvendi funksionon edhe krahas bojkotimit të një pjese opozitës. Rendi i ditës në seancën plenare është miratuar, ndërsa filloi edhe debati për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues, vlerësoi sot kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në Spitalin e përgjithshëm në Prilep, Kovaçevski edhe njëherë e përsëriti se është joserioze të bojkotohet Kuvendi në kushte të krizës më të madhe energjetike botërore dhe ju bëri thirrje deputetëve të jenë të përgjegjshëm.“Në kushte të tilla, çdo parti politike duhet të jetë përgjegjëse dhe ta japë maksimumin që të sillen ligje të cilat e lehtësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Nuk ekzistojnë ligje të cilat nuk ndikojnë në proceset shoqërore në kuptimin pozitiv dhe nuk mundet Kuvendi të konsiderohet për supermarket ku dikush do të vendosë se cili ligj do të kalojë, ndërsa cili nuk do të kalojë”, potencoi Kovaçevski.Për atë se opozita është ajo që bllokon ligje të dobishme për qytetarët, Kovaçevski e potencoi shembullin me Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave me të cilën kryeson një deputet i opozitës, ndërsa në të cilin akoma në rend dite nuk është vënë ligji në të cilin duhet të bëhet ndryshim teknik që të mundet prodhuesve të duhanit t’u paguhen subvencione.“Mjetet janë siguruar në Buxhet. Çdo vit bëhet ndryshim në ligj me të cilin prodhuesit e duhanit nuk duhet të shkojnë në DAP për të marrë vërtetin për tatime të paguara. Ky është ndryshim teknik të cilin Kuvendi e miraton menjëherë. Në këtë moment, në rend dite të Komisionit për Bujqësi, nuk vihet ky ligj. Duke e pasur parasysh atë se Komisionin e udhëheq një deputet i opozitës, ky ligj nuk vihet në seancë. Që këtu mund të shihet se opozita nuk ka kurrfarë qëllimi të mos bllokojë ligje të cilat do të thonë jetë më e mirë për qytetarët”, tha Kovaçevski./tv21.tv