Studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë të UT-së realizuan vizitë studimore në qytete të ndryshme të vendit tonë
Profesorët dhe studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë të Universitetit të Tetovës, më 9 dhe 10 maj 2022, në kuadër të praktikës profesionale kanë vizituar disa kapacitete prodhuese bimore në qytete të ndryshme të vendit tonë.
Me këtë rast, studentët kanë pasur mundësi që për së afërmi njohuritë e fituara përmes teorive t’i shohin se si realizohen në praktikë. Këto vizita, veç tjerash studentëve u kanë dhënë mundësi që të njihen me teknologjitë e reja të kultivimit të disa kulturave bujqësore, kryesisht nga grupi i perimeve, me theks të veçantë kultivimi i tyre në ambiente të mbrojtura (serra), pemëve të grupit të arroreve, si dhe bimëve aromatike dhe mjekësore, mbrojtjen e tyre, format më të reja të ushqimit të balancuar dhe plasmanin e këtyre prodhimeve kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.
Profesorët dhe studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë të Universitetit tonë, gjatë realizimit të praktikës kanë qëndruar në qytete të ndryshme të vendit, edhe atë, në Strumicë, Gjevgjeli, Vallandovë, Shën Nikollë dhe Kumanovë.
Në fund të këtyre vizitave u tha se studentët e këtij fakulteti duhet të angazhohen në maksimum, që me një qasje sa më profesionale dhe me një përkushtim maksimal të kontribuojnë që të rritet mirëqenia e kulturave bujqësore dhe të prodhohet sasi e mjaftueshme e ushqimit cilësor dhe të sigurt për konsumatorët.