Numrat janë numra, që lexohen veçmas, por dhe kur të bëhet mbledhje a zbritje. Çka nxjerrin në pah përqindjet e anketës që u botua dje?
Nuk është ndonjë befasi që ndër partitë VMRO-DPMNE është e para, as se LSDM-ja e dyta dhe BDI-ja e para në bllokun politik shqiptar. Befasi është te liderët: Nëse duket e logjikshme që lideri i partisë së parë të jetë më i votuari, pra Hristijan Mickovski, me 8,7 përqind, në vend të dytë nuk është lideri i partisë së dytë, por Ali Ahmeti, lideri i BDI-së, i cili madje është parapa të parit me një dallim fare të vogël nga i pari, me 7,2 për qind. Dimitar Kovaçevski, si duket, vazhdon të durojë pasojat e të qenit lider i ri i LSDM-së dhe pak muaj i akomoduar në postin e kryeministrit dhe te anëtarësia e kësaj partie vazhdon të ndajë “pozicionin” e tij me pararendësin, Zoran Zaev. Në përgjithësi, duket se për këtë pozicionim të Ali Ahmetit, i cili deri tash nuk ka qenë asnjëherë në vend të dytë, qytetarët kanë njohur një politikan me vizion dhe qasje konstruktive.
Politika është kalkulim, e kalkulume bëhen edhe te numrat. Duke përjashtuar efektet që do të kishte metodi i D’ontit për nxjerrjen e numrit të deputetëve për secilën parti(sepse për këtë duhet konkretisht numër votuesish në çdo njësi veç e veç, e kjo nga përqindjet është e pamundur), do të marrim përqindjet kështu si janë. VMRO-ja dhe Lëvizja Besa(e cila nuk dihet a mund të siguronte mandat me 1,5 për qind), që ka shënuar përafrime me VMRO-në, do të kishin bashkë 22,7 për qind(në kombinim me Aleancën për Shqiptarët, 26,5, por Aleancën e përjashtojmë nga llogaritja, për shkak të një përmbajtje kohëve të fundit, kurse Levicën e përjashtojmë fare nga kombinimi, e cila me gjasë do të mbetet neutrale sa i përket koalicionit qeveritar, pasi nuk është e besueshme se pas të gjitha kritikave, ndonjë parti shqiptare mund të hyjë në qeveri me të). Në anën tjetër, koalicioni qeveritar i përbërë nga LSDM-ja, BDI-ja dhe Alternativa do të kishin pasur 24,4.
Siç shihet, faktor kryesor paraqitet Aleanca për Shqiptarët, e cila në këtë balans midis partive në pushtet (me përparësi të vogël) dhe partive të supozuara në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme, mund të jetë “teg” në peshore se cili koalicion mund të bëjë qeveri.
Kuptohet, kjo është vetëm një kombinatorikë duke u nisur nga pozicionimet momentale. Këto përqindje me metodën e D’ontit mund të ndryshojnë shumëçka.