Dita e çlirimit të Europës: Lufta në Ukrainë hedh hije mbi Rusinë

Në orët e 8 dhe 9 Majit mori fund Lufta e Dytë Botërore me kapitullimin e Gjermanisë hitleriane. Rusia e feston këtë si “ditën e fitores”. Por Putini po e përdor gjithnjë e më shumë 9 Majin për propagandë lufte.

Dita e çlirimit. Dita e fitores. VE (Victory in Europe) Day. Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe fitorja mbi nacionalsocializmin ka shumë përcaktime. Në disa vende si në Francë apo Sllovaki ajo është ditë feste, në Gjermani ditë përkujtimore. Pas 12 vitesh të sundimit brutal të nazistëve, gati 6 vite luftë, 60 milionë viktima dhe 6 milionë hebrenj të vrarë sistematikisht më në fund u mposht sundimi nazist më 8 Maj. Kapitullimi i nazistëve festohet në ditë të ndryshme në varësi të ditëve të ndryshme të fundit të luftës. Gjeneralkoloneli Alfred Jodl, shef i shtabit të Wehrmachtit e nënshkroi kapitullimin me fuqitë perëndimore në natën e 6 deri 7 Majit 1945 në Reims. Por ajo hyri në fuqi më 8 Maj 1945.

Diktatori sovjetik, Jozef Stalin donte ta bënte këtë edhe njëherë në zonën e tij të pushtetit, kështu natën e 9 Majit gjenerali Wilhelm Keitel, kreu i kryekomandës së ushtrisë gjermane e vuri nënshkrimin e tij për kapitullimin në shtabin sovjetik në Berlin-Karlshorst. Për këtë arsye Rusia e feston këtë ditë më 9 Maj. Në Holandë dita e çlirimit festohet më 5 Maj, që shënoi edhe fundin e pushtimit gjerman.

Gjermanisë, vendit që e organizoi këtë katastrofë iu desh shumë kohë për të gjetur një mënyrë përkujtimi të 8 Majit. Për popullsinë gjermane me kapitullimin filloi e ashtuquajtura “ora zero”. Askush nuk donte të hidhte më sytë pas. Dita simbolizonte dështimin dhe çlirimin, prandaj për republikën e re të pasluftës ishte e vështirë me sa duket në fillim të kuptohej kjo ditë. Kurse Republika e re Demokratike Gjermane, e cila zgjodhi rrugën sovjetike, e pa veten si shtet pasues antifashist dhe me këtë i iku përgjegjëse për Gjermaninë naziste. Disa vite madje 8 Maji ishte zyrtarisht ditë pushimi.

Problemet e gjermanëve me 8 dhe 9 Majin

Në Gjermaninë perëndimore shihej me frikë kjo ditë. Ishte Konrad Adenauer, kancelari i parë gjerman që kërkoi madje me këmbëngulje që kushtetuta gjermane të miratohej në 8 Maj 1949. Qendra për Edukimin Politik citon në një seri analizash nga një mbledhje, ku Adenauar ka thënë “se në të vërtetë për ne gjermanët është dita e parë e gëzuar që nga viti 1933. Ne duhet të fillojmë të numërojmë që nga kjo ditë dhe jo me kohën e kolapsit, pavarësisht se sa të rënda ishin vitet e kolapsit.”

Ora zero në vend të përballjes me historinë. Presidenti gjerman, Richard von Weizsäcker nuk ishte i pari që e quajti në një fjalim historik atë ditë si “dita e çlirimit” nga sistemi nacionalist socialist i dhunës, por fjalimi i tij mbeti në kujtesë dhe në të njëjtën kohë ai u kujtoi gjermanëve detyrimin për t’u përballur me fajin individual dhe përgjegjësinë. Në vitin 2020, 8 Maji u shpall njëherë vetëm si ditë zyrtare feste, kurse çdo vit ai kujtohet si ditë përkujtimore.

Në Rusi dita e fitores, siç quhet në hapësirën postsovjetike kujtohet prej vitesh si ditë zie. Bashkimi Sovjetik humbi miliona qytetarë në Luftën e Dytë Botërore, kjo ditë e kujton edhe këtë humbje. Por prej disa vitesh Vladimir Putin e përdor gjithnjë e më shumë këtë ditë për qëllime të brendshme politike. Që në vitin 2022 një studim i Fondacionit Shkenca dhe Politika bën me dije se nën Putin historia sovjetike kujtohet gjithnjë e më shumë në mënyrë të njëanshme, për ta nxjerrë më të fortë regjimin aktual dhe për të krijuar një vijimësi me superfuqinë e dikurshme të Bashkimit Sovjetik. Nën Putinin filluan të zhvilloheshin sërish paradat pompoze të 9 Majit.

Instrumentalizimi i 9 Majit

Në paradën para një viti Putini tha se “Rusia mbron me konsekuencë të drejtën ndërkombëtare – Në të njëjtën kohë ne do të mbrojmë me forcë interesat tona kombëtare për të garantuar sigurinë e popullit tonë. Forcat heroike ruse, trashëgimtarë të ushtarëve të fotires janë garancia më e besueshme për këtë.” Putini propagandon imazhin e një perandorie të kërcënuar në traditën e Ushtrisë së Kuqe.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *