Të burgosurit për “Rastin e Kumanovës” në grevë urie! DZS-ja do të shqyrtojë kërkesën dhe dosjet e tyre

Tashmë dy ditë të burgosurit e grupit të Kumanovës, të cilët vuajnë dënimin në burgun e Shkupit janë në grevë urie, kjo në shenjë revolte për shkak se nuk u lejohen vizita familjare dhe për lëshim në shtëpi gjatë fundjavave. TV21 kontaktoi me një familjar të një të burgosuri për të pyetur mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

“Ata janë në grevë urie nga dje dhe kanë dalë në korridor, sot tre prej tyre janë kthyer nëpër qeli ngaqë drejtori u ka premtuar që do t’ua plotësojë kërkesat ndërsa pesë të tjerë vazhdojnë të jenë në korridore. Gjendja e tyre shëndetësore momentalisht nuk është e përkeqësuar, por nuk i dihet, ata nuk kanë trajtim të mirë mjekësor”, thotë një familjar.

Drejtori i Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve, Marjan Spasovski tha se duhet të shikohen dosjet e tyre, respektivisht nëse i plotësojnë kushtet për këto lehtësime.

“Duhet të bëhet dallimi mes të drejtës dhe lehtësimeve. Të gjitha të drejtat e personave të dënuar në burgun e Shkupit dhe në institucionet tjera korrektuese në Maqedoninë e Veriut janë të lejuara, rreth aspektit të mundësisë, duhet të kontrolloj dosjet e tyre personale, nëse i plotësojnë kushtet dhe nëse i plotësojnë të shohim nëse në mënyrë të detajuar ndiqet procesi i tyre i risocializimit dhe nëse shfrytëzojnë numër të caktuar të lehtësimeve”, pohoi Marjan Spasovski, drejtori i DZS

Nga opozitarja Aleanca për Shqiptarët thonë se 5 të burgosurit që qëndrojnë në korridor i plotësojnë kushtet dhe këtë çështje e quajnë trajtim joadekuad ndaj të burgosurve. Maqedonia e Veriut jo vetëm që konfirmon se është një regjim hibrid, por tanimë po shkon drejt sisteme si ajo e Koresë së Veriut, tha Arben Zeqiri, zëdhënës i kësaj partie.

“Duam të njoftojmë opinionin se pesë nga të burgosurit, kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për fundjavë të lirë, por kjo e drejtë u mohohet nga drejtori i burgut edhe pse kanë marrë mendim pozitiv nga komisioni përkatës. Bëhet fjalë për Musadik Pajaziti të cilit tani e 19 muaj i takon e drejta për fundjavë, Arsim Bajramit që 18 muaj i takon fundjava e lirë, Elham Arifi tani e 12 muaj, Irfan Lutfiut 9 muaj dhe Seadodin Abdullai tani më 5 muaj plotëson kushtet për fundjavë të lirë”, tha Arben Zeqiri, zëdhënës i ASH

E njëjta situatë me grevën ka ndodhur edhe para dy muajve, kur 9 të burgosur kanë hyrë në grevë për një javë. Edhe atëherë iu premtua zgjidhje, por pa sukses, na tha familjari./tv21.tv

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *