Rektori i Universiteti të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili, sot priti në një vizitë pune Ambasadorin e Austrisë në vendin tonë, ekselencën e tij Dr. Georg Woutsas. Në këtë takim ku morën pjesë edhe Prof. Dr. Shefik Shehu, prorektor për Bashkëpunim ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Faton Shabani, Shef i Kabinetit të Rektorit të Universiteti i Tetovës, Doc. Dr. Hatibe Deari Zeqiri, shefe e Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Berton Sulejmani, dekan i Fakultetit Filologjik, Mr. Sc. Osman Ismaili, shef i Programit studimor – Gjuhë dhe Letërsi Gjermane dhe Lazim Ahmedi nga Këndi austriak, u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit midis Universitetit i Tetovës dhe Ambasadës së Austrisë në vendin tonë.
Pas këtij takimi, ata e vizituan edhe Këndin austriak, ku u dorëzuan rreth 150 libra, të cilat qeveria austriake ia dhuroi Universitetit tonë. “Është kënaqësi që të jem sot këtu. Është hera e dytë që jam në Këndin austriak, në bibliotekën austriake që financohet dhe mirëmbahet nga Austria. Kishim gjithashtu edhe takim me Rektorin, ku u potencua edhe rëndësia e bashkëpunimit me Austrinë. Ky ishte një rast edhe për të promovuar 148 libra për Këndin austriak, sepse është e rëndësishme të ketë edhe libra të shtypura, mësim me prezencë fizike dhe jo vetëm mësim online”, tha Ambasadori austriak, Dr. Georg Woutsas.
Ndërsa Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili shprehu mirënjohjen e tij për këtë vizitë të ambasadorit austriak në Universitetin e Tetovës . “Sot ishim të nderuar që Universitetin e Tetovës ta vizitojë ambasadori i Republikës së Austrisë, i cili me këtë rast Këndit austriak si edhe Fakultetit Filologjik i dhuroi 148 libra. Këto libra të dhuruara, gjithsesi shprehin një mirënjohje dhe një respekt që tregon Ambasada e Austrisë në vazhdimësi për Programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Gjermane.”
Përndryshe, kjo ishte vizita e dytë e Ambasadorit austriak Georg Woutsas në Universitetin e Tetovës.