Çmimi i vajit do të jetë nga 2,20 deri në 2,40 euro ose maksimumi 2,50 euro dhe ky çmim do të mbahet sidomos pas festave. Në marketet do të ketë edhe vaj gatimi të mjaftueshëm. Qytetarët nuk duhet të frikësohen e as të blejnë më shumë për të grumbulluar, tha sot drejtori i Përgjithshëm i fabrikës “Bllagoj Gjorev” në Veles, Goran Llazov.
“Nuk pres rritje çmimesh. Pas festës, çmimi do të stabilizohet dhe marketet do të jenë të mbushura me vaj gatimi. Nuk ka nevojë që qytetarët të grumbullohen, do të ketë vaj të mjaftueshme në treg”, tha Llazov pas takimit me ministrat të Ekonomisë dhe të Bujqësisë, Kreshnik Bekteshi dhe Lupço Nikollovski, të cilët vizituan fabrikën.
Sipas Llazov, në Bullgari çmimi i vajit është 180 denarë ose gjashtë leva, ndërsa në Greqi rreth katër euro.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, drejtori theksoi se ka lëndë të parë të mjaftueshme. Furnizimet bëhen vazhdimisht nga Bullgaria.