Pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin ka shkaktuar tashmë vrasjen e mijëra civilëve, ka zhvendosur miliona të tjerë, ka shkatërruar shtëpi, shkolla, fabrika etj. Shkatërrimi i parë javët e fundit në Kiev, Mariupol dhe Kharkiv duhet të marrë fund dhe Ukraina duhet të rindërtohet.
Studiuesit nga Qendra për Kërkimin e Politikave Ekonomike (CEPR), vlerësojnë se kostoja totale e këtij procesi mund të luhatet midis 220-540 miliardë eurove, bazuar në mënyrën se si do të rindërtohet, dhe sa do të rindërtohet, një shifër që duhet të përputhet me llogaritjet e bëra nga qeveria ukrainase.
Shkolla Ekonomike e Kievit vlerësoi pak ditë më parë se “të paktën 4.431 godina banimi, 92 fabrika/magazina, 378 institucione të arsimit të mesëm dhe të lartë, 138 institucione shëndetësore, 12 aeroporte, 7 termocentrale/hidroelektrike janë dëmtuar, shkatërruar ose pushtuar nga forcat ruse”.
Por duhet pasur parasysh se kur një raketë ruse shkatërron një ndërtesë shumë të vjetër banimi, që i përket ndoshta epokës sovjetike, kostoja e rindërtimit nuk është e barabartë me vlerën e ndërtesës, por me një godinë moderne dhe të qëndrueshme që mund të zgjidhë çështjen e strehimit për të njëjtin numër personash.
Po kështu, nëse bombardohet një termocentral i vjetër me qymyr, ajo që llogaritet nuk është vlera e centralit të vjetër por kostoja e një strukture që do të jetë në gjendje të prodhojë një sasi të njëjtë energjie nga burime të qëndrueshme.
Mënyra se si do të vendoset të fillohet procesi i rindërtimit, së bashku me reformat që do ta shoqërojnë atë, do të jetë po aq e rëndësishme sa edhe shuma që do të investohet: një projekt politik dhe ekonomik i mirë-menduar, mund ta transformojë ekonominë e Ukrainës dhe të ardhmen e qytetarëve të saj.
Procesi i rindërtimit pritet të bazohet në 3 detyra kryesore. E para ka të bëjë me pastrimin e zonave të mbushura me mina dhe mjete të tjera shpërthyese si dhe nga rrënojat e shkatërrimeve. Edhe para kësaj lufte në shkallë të gjerë, Ministria ukrainase e Mbrojtjes e vlerësoi në 650 milionë euro koston e çminimit vetëm në rajonin e Donbasit, i pushtuar nga Rusia që në vitin 2014.
Së dyti do të jetë e nevojshme të zgjidhet problemi akut i ukrainasve të zhvendosur brenda vendit. Për momentin, bëhet fjalë për mbi 7 milionë njerëz (4.5 milionë të tjerë janë larguar nga vendi). Shkolla Ekonomike e Kievit, e vlerëson koston e shtëpive të shkatërruara në rreth 29 miliardë dollarë.
Po ashtu do të jetë i domosdoshëm rindërtimi i infrastrukturës dhe i strukturave industriale të dëmtuara si termocentralet, fabrikat, urat, rrugët. Faza përfundimtare e rindërtimit të Ukrainës, ka të bëjë me ndihmën që ekonomia e saj të përparojë në një periudhë afatgjatë.
Në vitin 2019, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në terma realë, ishte më i ulët se në kohën e rënies së Bashkimit Sovjetik, dhe shumë nga 1500 ndërmarrjet shtetërore në Ukrainë dilnin me humbje ose me shumë pak fitim.
Por investimet ekonomike duhet të shoqërohen dhe të mbështeten nga angazhimi politik. Historia e shekullit XX-të sugjeron se suksesi i një procesi të rindërtimit, varet gjithashtu nga një integrim më i ngushtë me Evropën.
Për shembull, kjo ndodhi me Gjermaninë Perëndimore disa dekada më parë, dhe në një masë të ndryshme me Italinë pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe rritja e shpejtë ekonomike e Polonisë i atribuohet shpesh edhe integrimit në Bashkimin Evropian. Në 15 vitet pas pranimit të Varshavës në union, PBB-ja për frymë e këtij vendit është rritur me mbi 80 për qind.
Në një fare mënyre, Ukraina ishte drejtuar nga Perëndimi edhe para kësaj lufte. Pjesa e eksporteve të saj në Bashkimin Evropian u rrit nga rreth 30 për qind në vitin 2014, në 36 për qind në vitin 2020, ndërsa pjesa e destinuar për Rusinë ra nga 18 për qind në 5 për qind.
Por është e qartë se është Bashkimi Evropian, ai që do të duhet të udhëheqë këtë tranzicion politik. Brukseli duhet të përsërisë atë që bënë Shtetet e Bashkuara me Planin Marshall pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai fluks i madh dollarësh nga Uashingtoni i ndihmoi vendet evropiane jo vetëm të dilnin nga kriza e rëndë ekonomike e shkaktuar nga konflikti, por edhe të fillonin një periudhë rritjeje dhe prosperiteti. “Ne nuk duhet të presim që ky vend të arrijë paqen. Rindërtimi duhet të përgatitet që tani”- shkruan Financial Times.
Dhe për të arritur këtë qëllim, vazhdon gazeta britanike, duhen ndërmarrë 6 hapa të vegjël: përgatitja e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian; dhënia e fondeve direkte për rindërtim në sektorët strategjikë; lejimi në duart e Kievit të një shkalle të caktuar të autonomisë vendimmarrëse në çështjet ekonomike dhe politike; nxitja e hyrjeve të kapitalit të huaj dhe teknologjisë; përdorimi më shumë i granteve në vend të kredive; dhe së gjashti, harmonizimi i procesit të rindërtimit me një ekonomi të qëndrueshme me zero emetime karboni në atmosferë.
Me pak fjalë, Ukraina ka nevojë për një ndihmë të madhe emergjente që të menaxhojë kostot sociale dhe ushtarake të konfliktit, dhe për një premtim për rindërtimin e shpejtë dhe të plotë të vendit në bashkëpunim me shtetet perëndimore.