Beteja e Donbasit si ajo e Kurskut: Një luftë e madhe tankesh, mund të vendosë fatin e Ukrainës

Rusia dhe Ukraina duket se janë në fazat e fundit të përgatitjes për Betejën e Donbasit, pra të asaj që duket se do të jetë beteja më e madhe e tankeve në Evropë që nga Beteja vendimtare e Kurskut në Luftën e Dytë Botërore. Rreziqet si për Moskën ashtu edhe për Kievin nuk mund të jenë më të larta.

Ecuria e gjithë luftës mund të varet nga rezultati në Donbas. Më 24 shkurt, forcat ruse nisën  pushtimin e Ukrainës në 4 fronte kryesore: afër Kievit, Kharkivit në veri, Donbasit në lindje dhe në jug nëpërmjet gadishullit të Krimesë. Duke e shpërndarë shumë numrin e kufizuar të trupave të saj, udhëheqja ushtarake ruse shkeli një nga parimet më të vjetra të luftës: masën.

Në vend se të përcaktonin një objektiv parësor, dhe ta përdornin pjesën më të madhe të fuqisë së tyre luftarake për të pushtuar atë objektiv, rusët i shpërndanë forcat e tyre aq gjerësisht saqë forcat ukrainase ishin në gjendje që t’i zmbrapsnin në të katërta frontet.

Pasi pësoi humbje të rënda në rrethinat perëndimore dhe veriore të Kievit, Rusia i pranoi publikisht dështimet e saj, dhe rreth 1 muaj pas fillimit të luftës mori vendimin për të kufizuar dëmet e saj në rajonet e Kievit dhe Sumy, duke i tërhequr të gjitha forcat e saj nga atje, dhe duke i ri-pozicionuar ato në anën lindore në rajonin e Donbasit.

Rusia i mbajti forcat e saj në veri të Kharkivit, duke kryer sulme të kufizuara ajrore dhe duke përdorur zjarrin e artilerisë për të penguar tërheqjen e forcave të armatosura të Ukrainës, dhe bashkimin e tyre në luftën e Donbasit. Në jug të Donbasit, Rusia është në fazën përfundimtare të shkatërrimit të njësive mbrojtëse të Ukrainës në Mariupol.

Kjo do të krijonte një urë tokësore midis Rusisë dhe forcave të saj në Krime, duke lejuar transportin e logjistikës për trupat e saj në zonën e Khersonit. Po atje vazhdojnë luftimet me intentisitet të ulët për t’i penguar trupat ukrainase që të përforcojnë pozicionet e bashkatdhetarëve të tyre në Donbas.

Ndërkohë, në Donbas ekziston një grupim prej rreth 40.000 trupash ukrainase që mbrojnë linjat e para të frontit. Nëse Rusia do të ketë sukses në frontin jugor dhe lindor, ajo do të jetë në gjendje të ndërpresë të gjithë linjat e furnizimit të trupave ukrainase, duke i asgjësuar dhe kapur rob në mënyrë sistematike.

Nga ana tjetër, Ukraina do të përpiqet të parandalojë përpjekjen e rusëve për të rrethuar forcat e tyre në Donbas. Detyra e tyre do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ukraina nuk mund t’i tërheqë trupat e saj nga luftimet në Kharkiv ose Kherson, pasi një veprim i tillë do të linte zbuluar edhe më shumë territore, që mund të pushtoheshin nga forcat ruse.

Por tani ukrainasit kanë mundësi të ripozicionojnë një numër të madh trupash që ishin në mbrojtje të Kievit, Chernihiv dhe Sumy, dhe t’i dërgojnë ato – së bashku me çfarëdolloj rezervash strategjike që mund të ketë ende – për të përforcuar njësitë e tyre luftarake në Donbas.

Trupat ukrainase kanë avantazhin se kanë ndërtuar shumë fortifikata në këtë zonë që nga viti 2014, dhe ato mund ta bëjnë shumë të kushtueshme në armatime dhe jetë njerëzore çdo përpjekje të rusëve për ta çarë vijën e frontit. Megjithatë objektivat e Ukrainës për të parandaluar çdo lloj përparim rus do të jenë të ndërlikuara, dhe kjo për disa arsye.

Së pari, rusët nuk janë të vetmit që kanë pësuar humbje të mëdha në trupa dhe armatime. Edhe forcat ukrainase kanë humbur gjithashtu shumë trupa dhe tanke. Prandaj efektiviteti luftarak i ushtrisë ukrainase është më i vogël sesa kur nisi lufta.

Nuk dihet se sa viktima kanë pësuar trupat ukrainase dhe sa trupa të stërvitura kanë mbetur për të mbrojtur frontin në Donbas, pasi qeveria e Kievit ka vendosur një ndërprerje të raportimeve për humbjet e trupave të veta.

Së dyti, ndërsa linjat e furnizimit të Rusisë në anën e saj të Donbasit janë të shkurtra dhe të sigurta, ato të Ukrainës janë shumë më problematike. Përforcimet nga ana e Ukrainës, dhe furnizimet me pajisje ushtarake të dhëna nga Perëndimi duhet të udhëtojnë qindra kilometra nga Kievi për të shkuar në front, dhe Rusia vazhdon që t’i dëmtojë këto linja furnizimi me sulme ajrore, sulme me dronë dhe raketa.

Çdo goditje e suksesshme e rusëve, i privon mbrojtësit nga trupat, karburanti, municionet dhe armët shumë të nevojshme. Kievi i ka kërkuar vendeve të NATO-s armë të rënda, tanke, avionë luftarakë dhe sisteme raketore të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë.

Është e rëndësishme të kuptohet se një ndihmë e tillë do të kërkonte një kohë të konsiderueshme për t’u mbledhur, transportuar në Ukrainë dhe për t’u dorëzuar në front. Për më tepër, të gjitha këto do të ndodhin nën vëzhgimin e pilotëve rusë dhe operatorëve të dronëve, që do të përpiqen t’i shkatërrojnë përpara se të mbërrijnë në front. Por në lojë është edhe një faktor po aq i rëndësishëm: stërvitja.

Çdo ditë të kësaj lufte, Ukraina humbet një numër trupash të trajnuar që nuk mund t’i zëvendësojë lehtësisht. Që të hidhet në kundërsulm, Ukraina duhet të krijojë grupe të tëra beteje me tanke të reja, artileri vetëlëvizëse, dhe sisteme të mbrojtjes ajrore që aktualisht nuk ekzistojnë.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *