Në kohën e luftës në Ukrainë, e cila ka bashkuar si asnjëherë më parë vendet perëndimore, mungesa e konsensusit në Bashkimin Evropian për procesin e zgjerimit po shihet jo vetëm si dobësi, por edhe si e dëmshme.
Shumë diplomatë të BE-së me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, kanë thënë se tani janë tri çështje të cilat duhet të ndodhin “me urgjencë” në mënyrë që të kthehet besueshmëria në procesin e zgjerimit të bllokut dhe që të dëshmohet se BE-ja është vërtetë e vendosur që ta shtyjë përpara këtë proces.
E para, sipas tyre, është nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E dyta, gjetja e një zgjidhjeje për krizën politike në Bosnjë e Hercegovinë duke e hapur mundësinë për dhënien e statusit të kandidatit, dhe çështja e tretë është liberalizimi i vizave për Kosovën.
Këto tri çështje janë në pritje që disa vjet dhe kanë ndikuar që të zbehet edhe fuqia e BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë, kjo ka ndikuar që edhe besimi në BE në mesin e qytetarëve të rajonit të zbehet.
Problemi kryesor pse nuk ka hapje të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është bllokada nga ana e Bullgarisë në rastin e Shkupit, lidhur me çështjet e gjuhës dhe identitetit, e si pasojë disa shtete nuk duan që bisedimet të nisin me Shqipërinë, në mënyrë që të mos ndahet nga paketa me Shkupin.
“Thuhet të shfrytëzojmë rastin dhe të bëjmë presion për të dyja shtetet. Po të hapen negociatat vetëm për Shqipërinë, atëherë mund të ndodhë që Maqedonia e Veriut të mbetet në pritje edhe për një kohë të gjatë”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Ndonëse nuk ka lidhje formale midis vendeve kandidate, pasi procesi vazhdon të quhet si “proces i bazuar në merita individuale”, praktikisht disa shtete i shohin këto dy raste si të lidhura.
Disa vjet më parë, pasi Maqedonia e Veriut kishte arritur marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit të shtetit nuk kishte pengesa në rrugën drejt BE-së, ndërkohë që Shqipëria, sipas disa shteteve anëtare, nuk i kishte përmbushur të gjitha kushtet. Në atë kohë, ishte Maqedonia e Veriut që mbeti peng i mospajtimeve të shteteve të BE-së rreth çështjes së Shqipërisë, ndërkaq tani është e kundërta.
Shqipëria tani ka nisur të kërkojë që të ndahet nga kjo paketë sepse Tirana nuk po sheh ndonjë mundësi për zgjidhjen e mospajtimeve mes Shkupit dhe Sofjes. Por, në BE deklarojnë se “ka një dritare për zgjidhje” dhe besojnë se ajo mund të arrihet para verës.