Po ndodh ajo siç edhe ishte paralajmëruar nga ekspertë perëndimorë të sigurisë – trupat ruse kanë filluar bombardimet në lindje të Ukrainës.
Dhjetëra ndërtesa shumëkatëshe janë përfshirë nga zjarri, pasi u granatuan në Luhansk, transmeton Telegrafi.
E për intensifikim të luftimeve dhe fokus të veçantë të forcave ruse në lindje të Ukrainës, është raportuar prej ditësh si nga ukrainasit ashtu dhe nga fuqitë perëndimore.
Fillimisht trupat ruse kishin filluar tërheqjen e disa njësive nga periferia e Kievit, ndërsa tani ato forca kanë filluar sulmet në Sievierodontesk, që është pjesë e rajonit lindor të Luhanskut.
Dhjetëra ndërtesa shumëkatëshe janë përfshirë nga zjarri në këtë qytezë, pasi filluan bombardimet, e këtë e ka konfirmuar edhe guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai.
Ai edhe më parë pati paralajmëruar se do të ketë ofensivë të gjerë në këtë rajon, që mund të jetë më e zezë sesa ato në Mariupol, Bucha dhe Irpin.