Sot është dita e 26-të e luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Nëse sapo po na bashkoheni, këtu janë më të fundit:
Mariupol ka refuzuar thirrjet ruse për t’u dorëzuar në këmbim të kalimit të sigurt nga qyteti;
Agjencia e inteligjencës e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë se forcat ruse që përparojnë në Kiev nga veriperëndimi janë zmbrapsur nga rezistenca e Ukrainës;
Predha ruse goditën shtëpi dhe një lagje tregtare në lagjen Podil të Kievit duke vrarë të paktën katër persona;
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha se më shumë se 7,000 njerëz u evakuuan nga qytetet përmes korridoreve humanitare të dielën, më shumë se gjysma nga Mariupol;
Presidenti i SHBA Joe Biden do të vizitojë Poloninë këtë javë për një diskutim rreth Ukrainës;
Një rrjedhje amoniaku në një fabrikë kimike në qytetin lindor të Ukrainës, Sumy, ka kontaminuar një zonë me një rreze prej më shumë se 2.5 km.
Ukraina nuk pranon kapitullimin në Mariupol, pavarësisht ultimatumit rus. Para valës së refugjatëve ukrainas, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shprehet, se çdo vend në Europë duhet të pranojë refugjatë.
Ukraina ka refuzuar ultimatumin për dorëzimin e qytetit të rrethuar Mariupol tek forcat ruse. “Nuk do të ketë kapitullim dhe dorëzim armësh”, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Irini Veretshuk për gazetën “Ukrajinska Pravda”, të hënën në mëngjes. Kjo i është bërë e ditur palës ruse.
Gjeneralmajori rus, Mihail Misinzev deklaroi të dielën duke iu referuar Mariupolit, se ka një “katastrofë humanitare të tmerrshme”. Të gjithë atyre që dorëzojnë armët, do t’u garantohet një lëvizje e lirë nga Mariupoli.” Për këtë do të hapet një korridor të hënën paradite, ka bërë të ditur drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Mbrojtjes. Sipas Misinzev edhe civilëve do t’u mundësohet largimi nga qyteti në drejtim të Rusisë apo të zonave të kontrolluara nga Ukraina. Sipas palës ruse në Mariupol gjenden ende 130.000 vetë. Këshilli bashkiak i këtij qyteti kishte akuzuar Rusinë, se ka dërguar banorët në Rusi kundër vullnetit të tyre.