Humbjet shkatërruese dhe pasiguria në rritje e kanë vënë botën në një rrezik të madh por ka një lajm të mirë: Dashamirësia po rritet globalisht. Ky është një nga gjetjet kryesore të Raportit Botëror të Lumturisë. Raporti Botëror të Lumturisë, një botim i Rrjetit të Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, bazohet në të dhënat e sondazheve globale të marra nga njerëz në 146 vende.
Shqipëria është renditur në vendin e 90 për vitin 2022 nga 146 vende. Kujtojmë se një vit më parë Shqipëria ishte e renditur në vendin e 93, duke u ngjitur me 3 vende për një vit. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut është në vendin e 89, ndërsa poshtë Shqipërisë rendite Afrika (vendi i 91). Po ashtu në raport shihet se Serbia renditet në vendin e 43, ndërsa Mali i Zi në vendin e 75, Greqia në të 58-in. Nga ajo çka shihet në raport, befason Kosova, e cila renditet në vendin e 32. Ndërkohë në vendin e fundit, (146) renditet Afganistani.
Në 10 vjetorin e tij, raporti shqyrton lumturinë në mbarë botën, kombet më të lumtura, ato në fund të shkallës së lumturisë, plus faktorët që priren të çojnë në lumturi më të madhe. Dhe me dy vjet Covid-19, raporti ka zbuluar diçka të papritur. “Befasia e madhe ishte se globalisht, në një mënyrë të pakoordinuar, ka pasur rritje shumë të mëdha në të tre format e dashamirësisë që janë pyetur në Sondazhin Botëror të Gallup”, tha John Helliwell, një nga tre redaktorët themelues të raportit, shkruan CNN.
Dhurimi për bamirësi, ndihma për një të huaj dhe vullnetarizmi janë të gjitha në rritje “veçanërisht ndihma për të huajt në 2021, në lidhje me para pandemisë ose 2020, ishte në një sasi shumë të madhe në të gjitha rajonet e botës”, tha Helliwell.
Për të pestin vit radhazi, Finlanda është vendi më i lumtur në botë, sipas renditjes së Raportit të Lumturisë Botërore bazuar kryesisht në vlerësimet e jetës nga Gallup. Vendi nordik dhe fqinjët e tij, Danimarka, Norvegjia, Suedia dhe Islanda të gjitha janë shumë mirë në masat që përdor raporti për të shpjeguar gjetjet e tij: jetëgjatësi e shëndetshme, PBB për frymë, mbështetje sociale në kohë të vështira, korrupsion i ulët dhe besim i lartë shoqëror, bujari në një komunitet ku njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin dhe liri për të marrë vendime kyçe të jetës.
Danimarka vjen në vendin e dytë në renditjen e këtij viti, e ndjekur nga Islanda në vendin e tretë. Suedia dhe Norvegjia janë respektivisht në vendin e shtatë dhe të tetë. Zvicra, Holanda dhe Luksemburgu zënë vendet nga 4 deri në 6, me Izraelin që renditet në vendin e 9-të dhe Zelandën e Re përmbyll 10-shen e parë.
Kanadaja (nr. 15), Shtetet e Bashkuara (nr. 16) dhe Mbretëria e Bashkuar (Nr. 17) hynë të gjitha në top 20.
Lumturia në kohë të vështira
Një tjetër pikë e rëndësishme në raportin e këtij viti: Shqetësimi dhe stresi u ulën në vitin e dytë të pandemisë.
“Unë mendoj se një pjesë e kësaj është se njerëzit dinin pak më shumë se me çfarë po merreshin në vitin e dytë, edhe nëse kishte surpriza të reja”, tha Helliwell.