Agjencia e Zbatimit të Gjuhës nga dita e hënë do të fillojë me trajnimin e rreth 80 përkthyesve dhe lektorëve të institucioneve të ndryshme të administratës. Drejtori i Agjencisë, Ylber Sela dhe koordinatorja e këtij trajnimi Shpresa Zeqiri Ibrahimi pritën kandidatët për t’u njohur nga afër me ta dhe me rrjedhën e këtij trajnimi.Me këtë rast drejtori Sela theksoi nevojën e rregullshmërisë në ndjekjen e këtij trajnimi, duke pasur parasysh problemet e shpeshta që hasin në dokumentet e ndryshme gjatë përdorimit të gjuhëve, veçanërisht të terminologjisë, prej nga lind edhe nevoja për harmonizim të saj me gjuhën që përdoret në administratë. Qëllimi i këtij trajnimi, tha Sela, është përshtatur sipas nevojave të përkthyesve dhe të lektorëve të të gjithë institucioneve, të organeve të administratës, së pari të ministrive, të ndërmarrjeve publike dhe të gjykatave, për çka janë angazhuar profesorët më eminentë nga Maqedonia е Veriut, Kosova dhe Shqipëria.Shpresa Zeqiri Ibrahimi, koordinatorja e këtij trajnimi, kumtoi se trajnimet do të mbahen në 6 grupe me nga 15 kandidatë, ku do të trajtohen tema të ndryshme nga fusha e përkthimit, si një ndihmesë praktike në zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, në ruajtjen, promovimin dhe mbrojtjen e gjuhëve zyrtare dhe statusin e tyre të barabartë në RMV.Drejtori Sela kërkoi nga të gjithë pjesëmarrësit, kurdo që hasin në vështirësi të ndryshme, t’i drejtohen AZGJ-së për këshilla të cilat do t’u ndihmojnë për të tejkaluar çdo vështirësi të tyre.