Shqetësimet në Bruksel për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve në Ballkanin Perëndimor janë serioze, thonë burimet në selinë e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
Në këto dy organizata thonë se për një kohë të gjatë kanë qenë të vetëdijshëm për tentimet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të pengojë stabilitetin afatgjatë dhe perspektivën euroatlantike të rajonit.
Këto shqetësime, gjatë kësaj jave i ka shprehur edhe Parlamenti Evropian në një rezolutë që miratoi për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.
Deri më tani, sipas burimeve diplomatike në BE, Rusia ka investuar shumë në rajon në fushata të dezinformimit, sidomos në mediat në gjuhën serbe, por edhe në lidhje me organizatat politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Po të njëjtat burime pohojnë se në Bruksel “janë të vetëdijshëm për këto tentime dhe kanë ndërmarrë masa për bashkëpunim me partnerët tanë në rajon”.
“Në këto kontakte u kemi thënë të gjithë partnerëve që të jenë maksimalisht vigjilentë dhe të mos bëjnë veprime të cilat mund të rrisin tensionet. Nga të gjithë partnerët kemi dëgjuar se ata janë të vetëdijshëm për rrethanat dhe do të bëjnë maksimumin për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës”, thotë një burim diplomatik.
Burimet në BE dhe NATO thonë se një dozë më e madhe shqetësimi ekziston për situatën në Bosnje e Hercegovinë sesa në Kosovë. Por, edhe në rastin e Kosovës thonë se me kujdes po vëzhgojnë situatën, e cila në këtë moment është e qetë.