Prorektori për Arsim i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti zhvilloi takime pune me Zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi dhe Ministrin e Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri
Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim pune me Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Prof. Dr. Vullnet Ameti, në cilësinë e Kryeredaktorit të Monografisë, Zëvendëskryeministrit Artan Grubi ia dhuroi edhe zyrtarisht Monografinë e Universitetit të Tetovës (1994/1995).
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Artan Grubi e përgëzoi Prorektorin për Arsim të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ametin për punën voluminoze që kanë bërë bashkë me recensentët dhe bashkëpunëtorët e tjerë, për daljen në dritë të kësaj Monografie. “Pranova nga Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, një dhuratë shumë të çmuar, Monografinë e Universitetit të Tetovës (1994/1995-2004/2005), si retrospektivë të rrugëtimit për themelimin dhe zyrtarizimin e vatrës sonë të dijes, momente këto të përjetësuara me shumë kujdes në 15 kapituj me 295 materiale burimore. E përgëzova zotëri Ametin për angazhimin e tij, si kryeredaktor i kësaj vepre, që tashmë do të zërë vend të posaçëm në bibliotekat tona dhe të shumë brezave pas nesh, si përkujtues më i mirë i rolit të universitetit tonë të parë në vend”, tha zotëri Artan Grubi, Zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së vendit tonë.
Pas takimit me Zëvendëskryeministrin Artan Grubi, Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti është pritur në takim edhe nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Ky takim ishte me karakter pune, ku u diskutua për sfidat e arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe shumë tema të tjera që kanë të bëjnë me veprimtarinë arsimore, shkencore të Universitetit të Tetovës. Po ashtu, në këtë takim Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Vullnet, Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqirit ia dhuroi Monografinë e Universitetit të Tetovës (1994/1995).
Edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, e përgëzoi Prof. Dr. Vullnet Ametin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që ka dhënë deri në finalizimin e plotë të botimit të kësaj Monografia, ku pasqyrohet historiku i Universitetit të Tetovës në periudhën 1994/1995.