Meri Ambrosova e cila jeton dhe punon në Ukrainë është një prej disa shtetasve të Maqedonisë që po mundohet të largohen nga Ukraina. Ajo publikoi video përderisa me veturë është drejtuar drejt kufirit dhe është nisur për në Maqedoni. Thotë se është së bashku me vajzën Martën dhe se ka frikë nëse do të arrijë që të kthehet në vendlindje.
“Ukraina është shumë e madhe dhe vetëm për të kaluar me veturë më duhen 10 orë dhe me të vërtetë nuk e di…e dini që kufijtë janë të mbyllur dhe shpresoj se mua si shtetase e huaj do të më lëshojnë, gjithashtu do ta lëshojnë edhe Martën. Bashkëshorti mbetet këtu, do kthehet me veturë. Gjithçka është e bllokuar në Kiev. Tani mezi dolëm në autostradë dhe këtu ka kaos të paparë”, tha Meri Ambrosova.
Ambrosova thotë se shumë vështirë është që ta mbush veturën me benzinë për shkak se të gjithë ikin dhe fare nuk e di nëse do t’i mjaftojë që të arrijë deri në kufij, por megjithatë shpreson për më të mirën.
“Këtu nuk punojnë as pompat e benzinës, mendoj, punojnë por ka shumë kaos, disa janë të mbyllura, d.m.th. te njerëzit mbizotëron një panik e tillë se nuk do të ketë as benzinë as asgjë tjetër. Kështu nuk e dimë fare nëse do të arrijmë të dalim ose jo. Megjithatë shpresoj se gjithçka do të jetë në rregull dhe se edhe mua do të më ofrohet, si thuhet, ndihmë që të dal nga shteti”, pohoi Meri Ambrosova.
Me porosi u paraqit edhe Gjoko Zajkov, lojtari i reprezentacionit të futbollit i cili për momentin luan për një klub ukrainas. Thotë se qyteti Polltava ku ai gjendet nuk është cak i sulmeve dhe se për momentin atje janë të sigurt.
“Në klub ka paralajmërime, për të huajt që jemi këtu, që të organizohet transport me furgon dhe eventualisht të na bartin deri te ndonjë pikë kufitare. Por, duhet të krijohen kushte. Për momentin hapësira ajrore është e mbyllur, ndërsa nuk ka as trena. I presim instruksionet e klubit. Për momentin në qytet punojnë vetëm shitoret dhe një numër i vogël i restoranteve”, pohoi Gjoko Zajkov, lojtarë i Reprezentacionit të futbollit.
Për gjendjen e shtetasve maqedonas në Ukrainë, nga MPJ thonë janë në kontakt me gjithë shtetasit tanë dhe se të gjithë janë mirë, ndërsa gjithashtu po bëhen përpjekje për kthimin e tyre në vendin tonë. Paraprakisht MPJ bëri apel deri te qytetarët tanë në Ukrainë që sa më shpejt të largohen nga ai vend.