Për të tretin vit radhazi Maqedonia e Veriut është pjesë e programit “Shkollat e shekullit 21”, që financohet nga Qeveria e Mbretërisë së bashkuar dhe ka për qëllim të zhvillojë mendimin kritik, aftësitë digjitale të kodimit te nxënësit nga mosha 10-15 vjeçare. Në kuadër të programit organizohen trajnime për mësuesit mbi zbatimin e tij, por edhe gara për nxënësit në nivel shtetëror dhe më pas rajonal, ku ata prezantojnë njohuritë e marra duke krijuar një projekt për të kapërcyer një sfidë të caktuar të jetës së përditshme, duke aplikuar pajisjen koduese: microbit.
Në garën e nxënësve në këtë vit shkollor, e cila po zhvillohet sot, marrin pjesë 10 ekipe të nxënësve, projekt propozimet e të cilëve, përkatësisht zgjidhjet e sfidave të caktuara sociale, i kanë kaluar fazat e mëparshme të vlerësimit dhe janë vlerësuar si më të dobishmet dhe inovatoret.
Para fillimit të garës, të pranishmëve i’u drejtua ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, i cili tha se aftësitë digjitale janë ndoshta më të nevojshmet në ditët e sotme, për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë dhe depërtimit të saj në të gjitha sferat e shoqërisë.
“Zotërimi i tyre është parakusht për kryerjen e profesioneve të shumta dhe de facto, janë të paktën të nevojshme për komunikimin e përditshëm, informimin dhe ruajtjen e lidhjeve përmes botës së internetit. Pikërisht në atë drejtim ne e pozicionojmë sistemin arsimor nacional, gjegjësisht i japim atë drejtim zhvillimit të tij në të ardhmen. Ne po ndërtojmë një model përmes së cilit të gjithë gjeneratat e reja të nxënësve, që krahas shumë vlerave të tjera, do të fitojnë aftësi dixhitale gjithnjë e më të avancuara“, tha Shaqiri, duke shtuar se bëhet fjalë për modernizimin e kurrikulave, teksteve dhe materialeve të reja mësimore dhe në pajisjen e shkollave dhe sigurimin e aksesit në teknologjinë moderne të TI për nxënësit.