Në ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare, profesori universitar, Xheladin Murati vlerësoi se gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, dhe për këtë arsye është marrëzi që të presim përdorimin e saj zyrtar nga institucionet shtetëror. Murati tha se pavarësisht se ligji është në fuqi, institucionet e përdorin sipas qejfit të tyre.
“Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe është në përdorim zyrtarë sipas qejfit- kush do ta përdore. Gjuha shqipe nuk ekziston në Kushtetutën e RMV-së, ekziston si gjuhë e 20%. Së treti shqiptarët nuk janë popull shtet formues të shtetit të Maqedonisë, i cili status e zgjedh edhe çështjen e gjuhës. Koncepti i përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe nuk është i përsosur sepse nenet përbërëse të ligjit janë të papërsosura dhe jo koncize”, u shpreh Murati.
dhe sipas zv/ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, shqipja në RMV është avancuar, por jo edhe zyrtarizuar.
“Mendimi im ka qenë publik dhe transparent shumë më herët se gjuha shqipe është avancuar në masë të madhe, por nuk është e zyrtarizuar në nivel shteti. Ashtu siç e përmendi edhe drejtori në ato institucione apo vendbanime ku janë mbi 20 % është gjuhë zyrtare”, deklaroi Aliu.