Ukraina mund të braktisë ambiciet e saj për t’u bashkuar me NATO-n për të shmangur një luftë me Rusinë, tha sot ambasadori ukrainas në Britani për BBC. Vadim Pristaiko i tha BBC-së se Ukraina ishte e përgatitur të ishte “fleksibile” në qëllimin e saj për t’u bashkuar me NATO-n, një lëvizje që presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se do të çonte në luftë.
“Ndoshta, sidomos përderisa jemi të kërcënuar në këtë mënyrë, jemi të shantazhuar dhe nën presion për ta bërë këtë”, është përgjigjur Pristaiko i pyetur nëse Kievi mund të ndryshojë qëndrimin e tij për anëtarësimin në NATO.
Pak minuta më vonë, Ministria e Jashtme e Ukrainës reagoi duke theksuar se deklaratat e ambasadorit janë nxjerrë nga konteksti dhe theksoi se anëtarësimi në NATO është sanksionuar në Kushtetutë.
Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por në vitin 2008 iu premtua anëtarësimi. Putin beson se lidhjet në rritje të Ukrainës me NATO-n mund ta bëjnë vendin një bazë raketash të Perëndimit kundër Rusisë. Presidenti rus ka theksuar se Moska duhet të vendosë “vijat e kuqe” për ta shmangur atë.
Takimi brenda 48 orëve
Kievi ka kërkuar një takim me Moskën për të sqaruar përfundimisht synimet e qeverisë së Putinit, sipas BBC. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba tha se Rusia deri më tani ka injoruar çdo kërkesë zyrtare për të shpjeguar përqendrimin e forcave pranë kufijve të vendit. “Hapi i radhës”, sipas tij, ishte të kërkohej takim brenda 48 orëve të ardhshme, për të pasur “transparencë” në lidhje me planet e Rusisë.
Siç shpjegoi Kuleba, Ukraina të premten e kaluar i kërkoi Moskës përgjigje për qëllimet e saj, sipas Dokumentit të Vjenës, një marrëveshje për çështjet e sigurisë midis anëtarëve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ku përfshihet edhe Rusia. /abcnews.al