Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot akuzoi VMRO-DPMNE-në opozitare se vazhdimisht janë kundër rritjes së pagave, përcjell TV21.
“Nëse dikush ka qenë kundër këtij Ligji, ka qenë VMRO-DPMNE-ja. VMRO ka qenë kundër këtij Ligji për pagë minimale edhe kur u bë rritja e kaluar. Ata ishin kundër edhe tani, u bënë pro natën kur u arrit marrëveshje për ngritjen e pagës minimale, ndërsa një pjesë prej tyre edhe në mëngjes sepse me gjasë kanë fjetur natën, sepse konferenca për shtyp ishte vonë”, theksoi Kovaçevski.
I pyetur për kërkesën e opozitës për ndritje të pagave të tjera dhe paralajmërimet e opozitës për amendamente në ligjin për pagat, Kovaçevski tha se VMRO-ja fillimisht duhet të tregoj se si për një vit ka penguar rritjen e pagave në arsim.
“Në disa sektorë veç më kemi ngritje të pagave, posaçërisht në pjesën e shëndetësisë, geriatrisë. Gjithashtu tentuam për rritjen e pagave në arsim. Propozuam ligj në Kuvend për transformim të marrëdhënies së punës së 4.700 mësimdhënësve nga kohë e caktuar në kohë të pacaktuar, ku u definua edhe paga të rritet me koeficient të lidhur me pagën minimale. Një vit VMRO e bllokoi këtë ligj. Pas bllokimit të ligjit për 1 vit, ata tani do të dorëzojnë amendamente për përcaktim të pagës, le të dorëzojnë” tha mes tjerash Kovaçevski.