Reagim nga Programi studimor – Edukim Special dhe Rehabilitim i Fakultetit Pedagogjik i Universitetit të Tetovës në lidhje me informacionet e djeshme për vajzën me Sindromën Down.

Fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, sipas Konceptit të ri të arsimit fillor, si dhe Konceptit për arsim gjithëpërfshirës, ndjekin shkollat e rregullta. Me përfshirjen e tyre në shkolla të rregullta filloi edhe procesi i gjithëpërfshirjes në shkolla. Qëllimi ynë është që këta fëmijë të përfshihen në shoqëri, me ç’rast në shkollë do të zhvillojnë aftësi për periudhën e mëtejshme të jetës. Rasti me vajzën Ëmbla Ademi është një pasqyrë se sa ne si shoqëri jemi të gatshëm për këtë ndryshim shoqëror.

Për përfshirjen e suksesshme të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në shkolla, nevojitet përgatitje e shkollës, e cila përfshin përgatitjen e mësimdhënësve, sigurimin e asistentëve arsimorë, përgatitjen e prindërve dhe fëmijëve të tjerë, të cilët pritet t’i pranojnë fëmijët me nevoja të veçanta, me qëllim që të rriten dhe të zhvillohen së bashku në këtë proces. Në vendin tonë filluan përgatitjet, por jo me të njëjtin ritëm dhe rend, siç duhet të realizohet gjithëpërfshirja.

Fëmijët me nevoja të veçanta arsimore për t’u kyçur në shkolla duhet të fitojnë shprehi të formës së punës në grupe. Shumica e tyre nuk vijojnë kopshtet, as nuk përgatiten për në shkollë. Në të shumtën e rasteve ata vijnë të papërgatitur në shkolla, pa shprehi të aftësive për punë në grup dhe me probleme të sjelljes.
Me përfshirjen në shkolla, e gjithë pesha bie tek mësimdhënësi, asistenti arsimor dhe nxënësit e tjerë.

Në një mjedis të tillë të papërgatitur, i cili është nën presion dhe frikë nga e panjohura, si dhe për shkak të mungesës së kompetencave adekuate të mësimdhënësve, ata të cilët ballafaqohen me probleme janë nxënësit.
Fëmijët me nevoja të veçanta arsimore vuajnë emocionalisht, ndërsa fëmijët nga popullata e rregullt, të udhëhequr nga prindërit e tyre, nuk kanë mundësi të zhvillojnë ndjenja për empatinë dhe të luftojnë për të krijuar një shoqëri gjithëpërfshirëse në të cilën do të jetojnë së bashku. Filozofia e arsimit gjithëpërfshirës në vete përmban konceptin radikal të transformimit të shoqërisë në të gjitha segmentet e saj, ndryshimin e vlerave, prioriteteve dhe politikave, me çka luftohet praktika e deritanishme për përjashtim dhe diskriminim. Gjithëpërfshirja nuk paraqet integrim (zhvendosje dhe përfshirje në shkollat e rregullta) dhe nuk paraqet asimilim dhe akomodim të individit në kornizat e kushteve socio-ekonomike dhe relacioneve shoqërore, gjithëpërfshirja bën rikonstruimin e kushteve të jetesës në mënyrë që të krijohen mundësitë për pjesëmarrje të plotë, përkatësi dhe integrim social.

Ne si program studimor për Edukim Special dhe Rehabilitim në kuadër të Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, kujdes të veçantë i kushtojmë përgatitjes profesionale të stafit që do të punojnë për të mirën e të gjithë fëmijëve. Në këtë drejtim, jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë dhe mbështetje për tejkalimin e problemeve dhe sfidave në lidhje me edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore.

U.D. Dekan Prof. Dr. Lulzim Mehmedi & Prof. Dr. Buniamin Memedi- prodekan për arsim – Fakulteti Pedagogjik (Universiteti i Tetovës)

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *