Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali tha se në orët e mëngjesit të djeshëm, një familje e guximshme vendosi të dhuronte organet e një të afërmi të tij, të cilit i ishte konfirmuar vdekja e trurit.
“Pas përgatitjeve dhe koordinimit ndërmjet ekipeve të klinikave interne dhe kirurgjike, në orët e vona të natës ka filluar eksplantimi, e menjëherë më pas edhe transplantimi, fillimisht i zemrës, ndërsa në mëngjesin e sotëm edhe i të dy veshkave”, shkruan Sali.
Ai ston se një pacient i ri iu nënshtrua transplantimit të zemrës, ndërsa te dy pacientë me dializë tashmë po transplantohen veshkat, ndërkaq disa pacientë të tjerë në ditët në vijim do të mund t’i marrin indet kockore.
“Me humanizmin e tyre dhe vendimin për t’i dhuruar organet, kjo familje u dha jetë të paktën tre pacientëve, ndërsa të gjithë neve na solli një mëngjes plot shpresë. Dhe ne u jemi pafundësisht mirënjohës atyre për këtë. Falënderime edhe ndaj ekipeve mjekësore të të gjitha klinikave të përfshira në eksplantim dhe transplantim, të cilët gjatë 24 orëve të fundit punuan pa u lodhur dhe që akoma vazhdojnë të punojnë”, u shpreh Sali./