Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum“ në Tetovë me një aktivitet rasti shënoi përvjetorin e shoqatës, në ambientet e restorantit “Lord”, duke i rikujtuar ditët e hapave të parë, që ecjen e bënte të sigurtë nga viti në vit, me ngjarje e aktivitete kuluturore në qytetin e qëndresës, duke i rreshtuar sukseset e 7 viteve, me manifestime e aktivitete në vend dhe jashtë vendit. Shoqatë në qytetin e dy Universiteteve dhe gjashtë shkollave të mesme, qytet i gjallërsisë kulturore shqiptare.Në fjalën e rastit Sadije Aliti, poete, theksoi se shoqata përmbylli një vit me shumë suksese, me projekte të realizuara në Maqedoni dhe jashtë saj, ky vit ishte edhe një vit i sukseseve me ngjarje të shënuara edhe me krijuesit e rinj, një vit edhe me shumë suksese e krenari.Kryetarja Behare Neziri duke i rreshtuar sukseset i shpalosi edhe pikësynimet e viteve, që do të vijnë, duke i analizuar pikat më të zëshme për Shoqatën dhe mbarë hapësirën e shoqërisë shqiptare e më gjerë. “Më tej, duke diskutuar për sukseset e duke i kujtuar nismëtarët e parë, hapi shtegun për brezat e ri, që artin e të shkruarit e kanë gjuhë shpirti, që përjetësia t’i qëndiset me pena të reja e me shikime të reja. Ju që sot i bëni hapat e parë, nesër do të jeni krenaria e qytetit tonë dhe më gjerë, ndaj uroj, që ta vazhdoni këtë rrugë që e keni nisur, se është gjuha e shpirtit, që njëherit është edhe diell, që do të rrezatojë dije e urtësi ndër brezat, që do të vijnë pas jush”-theksoi ajo.Profesor Ejup Ajdini kryetari i parë i Shoqatës, shtoi se ardhmëria e këtij qyteti është te gjeneratat e reja, andaj edhe angazhimi i shoqatës është që të kontribuojë në këtë drejtim edhe në sferën e kulturës e sidomos në krijimin e gjeneratave të reja krijuese. Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Adem Abdullahu dhe Muhaxher Haruni.Njëherit ky aktivitet shënoi edhe inicimin e anëtarësimit të krijuesve, ku një komision i ngritur për këtë çështje do të shqyrtojë kërkesat e atyre që i plotësojnë kushte për të qenë anëtarë të Shoqatës. Kjo nismë është në rrjedhë e sipër edhe për të gjithë ata krijues e dashamirë të kulturës që kanë dëshirë të jenë anëtarë të Shoqatës.Pasoi edhe ora letrare me prezentimin e krijimeve letrare të krijuesve të rinj dhe anëtarëve të shoqatës. Ky ishte edhe aktiviteti i parë për vitin 2022 dhe realizmin e njërës nga pikat programore të punës e të veprimit të Shoqatës.Një mirënjohje e veçantë, për përkrahjen morale dhe materiale, që i dhanë Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum, si: Komuna e Tetovës, Ministria e Kulturës, me shpresë se ndihma e institucioneve dhe individëve, që artin e të shkruarit e kanë frymë jete, nuk do të mungojë kurrë, që kjo kala e krijimit letrar, të lartësohet deri aty, ku tokë e qiell bashkohen brenda pafundësisë.