Në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera dhe mundësitë për thellim të bashkëpunimit bilateral ndërmjet të dy republikave.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën.
Duke u falënderuar për rritjen e numrit të Forcave të Armatosura Kroate në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, kryeministri theksoi se një angazhim i tillë për paqen dhe stabilitetin në rajon është shumë i mirëpritur. Ai veçoi bashkëpunimin ndërmjet ministrave të mbrojtjes, që punojnë ngushtë dhe kanë një plan dinamik për bashkëpunim. Vizita e parë e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës jashtë vendit ishte pikërisht në Kroaci dhe ky është një demonstrim i vullnetit të Qeverisë për të bashkëpunuar më ngushtë.
“Qeveria e Kosovës vlerëson përkrahjen e Kroacisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në iniciativat dhe programet ndërkombëtare dhe rajonale, si Partneriteti për Paqe, A5 dhe RACVIAC, që është synimi ynë imediat”, tha kryeministri, duke theksuar që shpreson që Republika e Kroacisë do të vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim, në mbështetje të përpjekjeve tona për anëtarësim.
“Destinacioni i Kosovës është i qartë, ne jemi të përkushtuar që t’i bashkohemi NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha Kryeministri Kurti.
Duke biseduar për ballafaqimin me pandeminë COVID-19, kryeministri theksoi se Kosova është lider në Ballkanin Perëndimor, me mesataren më të lartë të qytetarëve të vaksinuar, me mbi 1.65 milionë doza të administruara dhe me rastet e reja më të ulëta të COVID-19.
Ai tha se Kosova refuzoi marrjen e ndonjë vaksine ruse ose kineze, duke pranuar vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA) dhe Agjencia Federale e Barnave të ShBA-së.
Kryeministri Kurti theksoi se fitorja e tij në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ka sjellë stabilitet dhe legjitimitet në institucionet tona, por edhe ka rikthyer edhe besimin tek qytetarët, i cili ishte shumë i ulët. Tani, prijësit e të tre institucioneve, Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri gëzojmë besimin e mbi 50% të qytetarëve të Republikës.