Nga 1 janari, e diela do të jetë ditë e obligueshme pushimi. Për 92 për qind të punëtorëve nga fillimi i vitit të ardhshëm kjo ditë do të jetë ditë pushimi, shkruan Alsat.
Me 62 vota “Për”, deputetët në Kuvend dhanë dritë jeshile për ndryshime në Ligjin e Marrëdhënieve të Punës. Deputetët e opozitës nuk e mbështetën këtë zgjidhje ligjore, duke thënë se është vendim diskriminues dhe se për këtë nuk është dëgjuar zëri i biznesmenëve.
“Ligji përmend 41 veprimtari që nuk do mund ta ndërpresin procesin e prodhimit dhe e diela nuk mund të jetë ditë pushimi javor. Këtu bëhet diskriminim me punëtorët në këto veprimtari në raport me punëtorët e tjerë. Si do ndikojnë këto ndryshime te punëtorët dhe kompanitë me zbatimin e tij nga janari i vitit 2022, përgjegjësinë do t’ia lëmë vetëm pushtetit”, deklaroi Angelina Petkova – deputete e VMRO-DPMNE-së.
Komuniteti i biznesit tashmë paralajmëroi se do ta kontestojë zgjidhjen ligjore para Gjykatës Kushtetuese, sepse kompanitë do të pësojnë dëme të mëdha.
“Sa i përket të dielës, ditë jopune, këtu ka aq shumë elementë antikushtetues, kështu që patjetër do të rishqyrtohet kushtetutshmëria e kësaj zgjidhje ligjore. Ne mbetemi të mendimit se disa veprimtari dhe industri të caktuara do të pësojnë humbje të rënda dhe jo vetëm që nuk do të realizohet e drejta e pagës minimale, por nuk do mund të realizohet e drejta e procesit të punës nëse nuk punojnë të dielën”, tha Daniela Mihajllovska-Vasilevska- Oda Ekonomike.
Qëndrimi i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale është se për të dielën ditë jo pune është folur prej disa muajsh dhe të gjithë kanë mundur të reagojnë në kohë nëse ky vendim do të ndikonte negativisht te kompanitë apo punëtorët.
“Lidhur me deklaratën e Odave Ekonomike, ju bëjmë me dije se përgatitja e zgjidhjes ligjore për të dielën ditë jo pune zgjati disa muaj, periudhë në të cilën të gjitha palët e interesuara patën mundësinë të dalin me komente, argumente dhe propozime lidhur me këtë ligj, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje më të qëndrueshme që do të plotësojë nevojat e shoqërisë”, njoftojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Të dielën do të punojnë vetëm punëtorët në 41 veprimtari, ku nuk mund të ndërpritet procesi i prodhimit. Të gjithë punëtorët që sipas ligjit do duhet të punojnë të dielave do t’u paguhet të paktën 50% mëditje më e madhe dhe një ditë pushimi javor që do mund ta shfrytëzojnë në shtatë ditët e ardhshme. /Alsat.mk