Mbaroi pa deklarata takimi Ahmeti-Zaev-Kovaçevski, Qeveria dërgoi kumtesë

Ka mbaruar mbledhja mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Pas takimit liderët nuk dhanë deklaratë, por Qeveria lëshoi kumtesë. Nga Qeveria informojnë se takimi i sotëm ishte në kuadër të konsultimeve për prioritetet qeveritare, për marrjen e përgjegjësive dhe për mirëmbajtjen dhe avancimin e shumicës qeveritare dhe parlamentare, njoftojnë nga Qeveria, transmeton Portalb.mk.

“Në takim është konstatuar se është plotësuar qëllimi që të sigurohet qeveri dhe shumicë parlamentare stabile të cilat veprojnë në interes të qytetarëve dhe shtetit”, informojnë nga Qeveria.

Në kumtesë shtohet se Zaev, Ahmeti dhe Kovaçevski janë pajtuar se qeveria e re do të jetë tërësisht e fokusuar në lëvizje të shpejtë të shtetit në rrugën euroatlantike dhe se qëllimi i suksesit të parë të qeverisë të jetë gjetja e zgjidhjes së sfidave në lidhje me Bullgarinë dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare është e pritshme që të jenë të rregullta dhe të mbahen në vitin 2024, a deri atëherë Qeveria të tregojë rezultate ekonomike, shërbime të shpejta dhe cilësore ndaj qytetarëve dhe menaxhim të suksesshëm me pandeminë dhe krizën energjetike”, thuhet në kumtesë.

Takimi vjen pas dorëheqjes së Zoran Zaevit nga pozita e kryetarit të LSDM-së dhe marrjes zyrtare të postit nga kryetari i ri i LSDM-së, Kovaçevski. Sipas paralajmërimeve, Zaev pritet të japë dorëheqje edhe nga pozita e kryeministrit, javën e ardhshme.

Pas kësaj pritet që të bëhet rikonstruimi i Qeverisë, duke e përfshirë edhe Alternativën, e cila u fut në koalicion qeveritar.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *