Prej sot ka nisur edhe zyrtarisht sezoni turistik dimëror në Kodrën e Diellit. Adhuruesit e sporteve dimërore do të kenë në dispozicion të gjitha ski-lifteve dhe mundësi për skijim edhe gjatë natës në pistat e ndriçuara “Teteks” dhe “Aerodorom”.
“Kaluam shumë muaj, bëmë shumë punë, u munduam maksimalisht që të krijojmë kushte elementare për të gjithë skiatorët që të kemi një sezon të suksesshëm, që të kemi një turizëm të suksesshëm dhe të ofrojmë kushte maksimale për të gjithë skiatorët. Tashmë Kodra e Diellit është konkurrent jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por në të gjithë rajonin”, pohoi Adem Avziu, drejtor i “ELEM Turs”.
Risi e këtij sezoni është edhe inaugurimi i malit Sharr si park nacional, drejtori i të cilit, Ibrahim Dehari e cilësoi si një arritje të madhe.
“Kjo është ngjarje tejet e rëndësishme për gjithë e sidomos për banorët e këtij rajoni. Ky projekt i madh u realizua pas një debati publik dhe kontributit të ekspertëve të fushës si dhe bashkëpunimit të Qeverisë sonë, Ministrisë së Ekologjisë, e institucioneve si universitetet, shoqatat e ndryshme malore, bjeshkatare, gjuetare e të tjera”, pohoi Ibrahim Dehari, drejtor i Parkut Nacional Mali Sharr.
Përveç ditës së sotme, edhe nesër ski-liftet do të jenë falas për të gjithë vizitorët.