Me dy kilometra pistë të ndriçuar skijimi, me katër ski-lifte, tre teleferikë dhe disa investime të reja do të nisë sezoni i skijimit më 15 dhjetor në Kodrën e Diellit. Drejtori i “Elem Turs”, Adem Avziu, pret sezon të mirëfilltë turistik.
“Kemi mbi dy kilometra shteg për skijim nate, kemi investuar edhe në dy mini bar-restorante me kushte moderne në Ge dhe në Teteks poshtë, dhe për herë të parë në këtë sezon kemi edhe pesë tualete publike që kanë qenë kërkesë e turistëve”, tha Adem Avziu, Elem Turs.
Për të parë rregullimet këtu ishin edhe Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ai i Mjedisit jetësor, Naser Nuredini. Premtuan përkrahjen e qeverisë për “Elem Turs” për zhvillimin e Kodrës së Diellit.
“Të uroj menaxhuesit, Avziun për punë e pa lodhur që e ka bërë në periudhën paraprake, me të vetmin qëllim të rrisin ofertën edhe të përmirësojmë shërbimet në kuadër të Kodrës së Diellit që të bëjnë që qendër turistike jo vetëm për vizitorët vendor por edhe për të huaj në një të ardhme të afërt”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
“Ky është një shembull se si mund të krijomë aktivitete ekonomike brenda zonës së mbrojtur në të njëjtën kohë të vijnë të relaksohen dhe të krijojnë aktivitete në periudha të ndryshme”, theksoi Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinorë.
Problem vazhdon të mbetet parkimi, edhe pse janë siguruar diku 800 vend parkime. Sipas Avziut zgjidhja do të ishte teleferiku nga qyteti i Tetovës deri në Kodrën e Diellit, për të cilin tha se në planin e vitit 2022 janë siguruar mjetet për projektin ideor.
“Në planin e furnizimeve publike në vitin e ardhshëm unë tashmë vetëm se e kam futur si pjesë e furnizimeve dhe projektimin ideor të gondolës Tetovë Kodra e Diellit”, pohoi Adem Avziu, Elem Turs.
Mungesa e borës, mos investimi, mungesa e vendeve për parkim, defektet e shumta në ski-liftet bëri që Kodra e Diellit të humbë shumë turistë. Tani menaxhuesit presin sezon të mbarë, duke qenë se pistat e skijimit janë gati para fillimit të sezonit dhe në të gjithë ski-liftet janë kryer kontrollet e duhura./tv21.tv